Pas përgatitjeve që janë bërë me kohë, ka filluar viti akademik 2017/18 në të gjitha fakultetet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Janë 976 studentë të rinj që do të fillojnë studimet për herë të parë në këtë vit akademik.
Me këtë rast rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, u ka uruar studentëve, mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës vitin e ri akademik. Rektori ka marrë pjesë në një ceremoni qëështë organizuar në Fakultetin Juridik për pritjen e studentëve të rinj, ku ishte i pranishëm edhe dekani Agron Kuçi si dhe bashkëpunëtorë e mësimdhënës.
Rektori Musaj u ka uruar sukses studentëve, duke ju premtuar mbështetje në të gjitha hapat e tyre. “Do të jemi pranë jush në mënyrë që të jeni sa më të sukseshëm në studime. Ju jeni kërkues ashtu siç do të jenë kërkues prej jush mësimdhënësit tuaj”, tha rektori, i cili më këtë rast ka përkujtuar edhe 20-vjetorin e protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës, që kishin bërë kthesën e madhe historike në Kosovë.