Fillon ofrimi i shërbimeve në spitale që ishin anuluar për shkak të pandemisë

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Më 11 nëntor të vitit të kaluar, Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19, në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, kishte marrë vendim që në institucionet publike shëndetësore të ofrohen vetëm shërbime për rastet emergjente. Megjithatë, kjo javë janë kthyer të gjitha shërbimet që u kanë munguar qytetarëve për gati dy muaj.

Nga 5 janari të gjitha institucionet publike shëndetësore në vend kanë filluar përgatitjet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë Covid-19.

Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për trajtim mjekësor tani e tutje mund të kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet publike shëndetësore.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë bërë të ditur, se kanë marrë vendim që të fillohet puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e në spitalet rajonale.

Nga ky institucion është thënë se klinikat dhe spitalet e përgjithshme do të bëjnë planin mujor operativ të ndërhyrjeve kirurgjike elektive në bashkëpunim me anesteziologët.

“Bazuar në konkluzat nga mbledhja e Komitetit të ShSKUK-së për menaxhim të situatës me Covid-19, ka filluar puna në ambulancat specialistike të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme. Të gjitha terminet bëhen vetëm me telefon, me numër të reduktuar të pacientëve, duke respektuar masat anti-Covid”, është thënë nga ky institucion.

Ndërsa, edhe drejtorë të klinikave dhe spitaleve e kanë pohuar se nga sot do të fillojnë të ofrojnë shërbimet që kanë munguar nga muaji nëntor.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë për Express, se gradualisht do të fillojnë me ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Ne e kemi marrë udhëzimin për fillimin e shërbimeve tjera. Shërbimet është e paraparë të ofrohen. Shërbimet specialistike variojnë prej spitalit në spital varësisht prej hapësirave, në këtë mënyrë ne fillojmë gradualisht t’i kthejmë shërbimet. Terminet për këto shërbime do të bëhen përmes telefonit, në mënyrë që të respektohen masat kundër Covid-19”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Gjakovës ka thënë se do të fillojnë ta bëjnë një plan për kryerjen e operacioneve elektive, të cilat nuk kanë mundur të kryhen deri tani.

Ai ka thënë se shërbimet tjera janë dhënë në këtë spital.

“Te ne nuk janë kryer operacionet elektive. Mirëpo ne kemi marrë një udhëzim për fillimin e kryerjes së operacioneve. Ne do të bëjmë një plan për kryerjen e tyre”, ka thënë ai.

Kujtojmë që marrja e vendimit për pezullimin e disa shërbimeve shëndetësore nuk ishte parë mirë nga anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Ata kishin kërkuar që të gjehen mënyrë që përkundër pandemisë, shërbimet tjera të mos u mungojnë qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme