Lëshohen 30 autobusët e rinj në Prishtinë, zgjatet orari

Prishtinë | 17 Shk 2017 | 11:27 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

30 autobusë të rinj janë lëshuar sot për qarkullim në komunën e Prishtinës. Qarkullimi i tyre ka filluar që nga ora gjashtë e mëngjesit; 22 prej tyre janë për linjën 4 dhe 8 për linjën 1 për Fushë-Kosovë.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi, ka deklaruar për Ekonomia Online së kanë vendosur që t’i lëshojnë këta autobusë për qarkullim pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, të gjithë udhëtarët që udhëtojnë sot me këta autobusë nuk do të paguajnë biletë, duke shtuar se risi e këtyre autobusëve është se që nga sot orari do të jetë deri në ora 22:00.

“Sot në mëngjes në ora gjashtë flota komplete e autobusëve të rinj përfshirë këtu 22 autobusë për linjën katër në qytet dhe 8 autobusë për linjën 1 për Fushë Kosovë kanë filluar së punuari nga parking i trafikut urban dhe nisja është bërë në mënyrë solemne në orën gjashtë në mëngjes”.

Nushi, ka thënë se qëllimi i sjelljes së këtyre autobusëve është rregullimi i trafikut urban, por se kjo sipas tij nuk nënkupton që ky i fundit do të rregullohet menjëherë sepse projekti është mjaft kompleks dhe përfshin në vete edhe shumë projekte të vogla.

“Jemi me fat që pas 30 viteve sepse autobusi i fundit është blerë në vitin 1987 pas 30 viteve Komuna e Prishtinës sot me 30 autobusë. Gjatë muajit vijues në muajin mars vijnë edhe 21 autobusë tjerë, do të ketë një flotë mjaft të begatshme, por jo të mjaftueshme për qytetin e Prishtinës. Diku 180 autobusë nevojiten për ta mbuluar komplet territorin e Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Por, qarkullimit të këtyre autobusëve më së shumti i janë gëzuar qytetarët e Komunës së Prishtinës. Ata thonë se orari i këtyre autobusëve është me rregull dhe se kjo mundëson ndoshta që edhe makina të ketë më pak në trafik.

Qytetari Halil Kosalci, thotë për Ekonomia Online se autobusët e rinj janë shumë të pastër dhe me orar të rregullt.

“Po më pëlqen ky autobus, i pastër, i ri dhe sot e kemi edhe gratis udhëtimin. Nëse vazhdon kështu është mirë, jo në kuptimin pa pare por në kuptimin e pastërtisë, mbajtjes së orarit, rregullit. Kjo e përmirëson shumë trafikun por edhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj”.

Kurse, Sebahudin Sekiraça, shprehet i lumtur që pas shumë procedurave kryeqyteti ka autobusë të rinj në trafik.

“Për herë ta parë kam hipur tash mirëpo zgjati shumë kjo procedurë deri sa së pari Qeveria i vonoi atje, mandej procedurat tjera mirëpo me rëndësi është që erdhën dhe besoj se do të përmirësohen shumë kushtet”, thotë ai.

Gjë të mirë qarkullimin e këtyre autobusëve për herë të parë në ditën e pavarësisë e quan qytetari Nexhat Xharra. Ai shprehet se më këtë do të përmirësohet edhe trafiku urban.

“Po bëhen nëntë vjet me gëzuar një të mirë të pavarësisë, një të mirë publike jashtë rrugës Ibrahim Rugova që është bërë e re edhe kjo . Shpresoj që do të vazhdojnë edhe të tjerat më shpejtë, më mbarë e më efikase. Gjithsesi përmirësohet trafiku nëse jo trafiku së paku ajri I Prishtinës i cili është shumë i ndotur edhe nga Obiliqi edhe nga makinat por ndoshta frekuenca e makinave do të jetë më e rrallë, më lehtë e kanë edhe udhëtarët që të ecin në këmbë”, tha ai.

Autobusët e rinj janë sjellë në kryeqytet në muajin e kaluar të këtij viti.

 

Të ngjashme