Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte ka nisur rigjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, Cedomir Aksiq. Ky proces po zhvillohet pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu lëndën në rigjykim duke kërkuar plotësimin e kushteve për gjykim në mungesë.
Lidhur me vendimin e Apelit, prokurorja Habibe Salihu deklaroi se janë plotësuar të gjitha veprimet e nevojshme sipas ndryshimeve të fundit ligjore për të mundësuar gjykimin në mungesë.
“Ne kemi vepruar sipas dispozitave të kodit të procedurës penale e ndryshimet që janë bërë për gjykimin në mungesë”, deklaroi Prokurorja Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Salihu deklaroi se fillimisht është vërtetuar adresa e të akuzuarit përmes dëshmitarëve që kanë pasur qasje në pronën e tij dhe më pas Policia e Kosovës ka konfirmuar se ai nuk jeton në Republikën e Kosovës.
Tutje Prokuroja Habibe Salihu deklaroi se është shfrytëzuar bashkëpunimi juridik ndërkombëtar përmes Ministrisë së Drejtësisë, ku është dërguar ftesë drejt autoriteteve të Serbisë dhe është pranuar një përgjigje prej tyre.
Prokurorja Salihu gjithashtu deklaroi se ftesa është publikuar në Gazetën Zyrtare për një periudhë gjashtëmujore, duke u bërë thirrje të akuzuarit të dorëzohet
Prokurorja Salihu deklaroi se lidhur me procesin ka qenë në dijeni i akuzuari Cedomir Aksiq ngase sipas saj mbrojtësi i tij në shqyrtimet e kaluara ka qenë me autorizim.
Gjykata sugjeroi se kontaktimi i avokatit të mëparshëm do të ishte një “mundësi e mirë” dhe “mënyrë për ta informuar” të akuzuarin.
Me kërkesën e mbajtësit të të akuzuarit Cedomir Aksiq sipas detyrës zyrtare, avokatit Ymer Berisha seanca e sotme u ndërpre për një ditë tjetër.
Avokati Berisha njoftoi trupin gjykues se ende nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga prokuroria, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e tjera materiale që formojnë bazën e aktakuzës.
I akuzuari Aksiq u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vite burgim, më 26 dhejtor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.
Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.
Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.
Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq u zhvillua në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.