Sapo kryeministri Edi Rama bëri të ditur ndryshimet në kabinetin qeveritar, lajmi se diplomacinë shqiptare do e drejtojë një kosovar, nisi të qarkullojë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Gent Cakaj nuk kishte shumë kohë si zëvendësministër i Jashtëm, megjithatë ai kishte marrë përsipër të kryesojë si koordinator teknik procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Tashmë ai do ketë në dorë të gjithë ministrinë e rëndësishme. “Gent Cakaj do jetë ministri i ri për Europën dhe Punët e jashtme. Është zëvendësministri aktual që ndjek integrimin dhe ai ka një eksperiencë akademike të shkëlqyer dhe besoj se e ka të gjithë kapacitetin për të marrë stafetën e për ta çuar më tej, punën e nisur”, -tha Edi Rama, duke mos u zgjatur shumë tek ish-këshilltari i tij diplomatik, të cilit i ka besuar shumë.
Dhe kështu, për herë të parë që prej viteve ’40, qeveria shqiptare do të ketë në përbërje dy ministra nga Kosova. Ministri i ri i Jashtëm, Gent Cakaj ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Jashtëm, duke qenë edhe kryenegociatori i Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Më herët ai ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, ai ka patur angazhim në shoqërinë civile si konsulent. Ai është arsimuar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari dhe mban dy diploma dhe 3 master në filozofi, shkenca politike dhe juridik.
Ndryshimet që janë ndërmarrë në kabinetin qeveritar, nuk kanë sjellë vetëm ndryshimet e emrave, por edhe një ulje të moshës mesatare të kabinetit. Nëse analizojmë moshën e ministrave të rinj dhe e krahasojmë me moshën e ministrave të mëparshëm që u larguan nga kabineti, rezulton se mosha mesatare është ulur me 6 vite. Dhe më i riu? Gent Cakaj, vetëm 28 vjeç.
“Gent Cakajn nuk e kam takuar asnjëherë, por e kam përcjellë punën e tij, përgatitja e tij profesionale, modeli që ai përfaqëson është absolutisht jo vetëm i krahasueshëm, por në nivel me politikanët e vendeve më të zhvillume. Është privilegj për Shqipërinë me e përfaqesu Genti, e humbje për Kosovën që nuk e kemi. Kosova fatkeqësisht nuk po arrin me u çliru prej ministrave të odave me cigare mas veshi e një lugë të plastikës ose rrmojs në gojë”, shkroi gazetarja e njohur kosovare, Arbana Xharra pas lajmit se filozofi kosovar do jetë tashmë kryediplomat. Postimi i saj u bë viral në median shqiptare, bashkë me kuriozitetin për të mësuar më shumë.
Por Cakaj do të flasë me punën e tij, pasi duke nisur që nga ditët e para të janarit, qeveria shqiptare synon të vërë në jetë projektin e ‘bashkimit’ me Kosovën, fillimisht me doganat. Pak muaj më vonë, testimi i madh do jetë ai për çështjen e integrimit.
“Vendimi i fundit i Këshillit për hapje eventuale të negociatave për Shqipërinë në kuadër të horizontit kohor 2019 zbulon një tension imanent midis, nga njëra anë, vlerësimeve teknike të dhëna nga Komisioni për hapje të pakushtëzuara të negociatave për Shqipërinë për shkak të përmbushjes të objektivave në pesë prioritetet kyçe dhe, nga ana tjetër, vullnetit politik të disa vendeve anëtare për të proceduar tutje me politikat e zgjerimit në përgjithësi dhe hapjes të negociatave për anëtarësim në veçanti” shprehej Cakaj në një intervistë për gazetën Mapo përpara disa javësh.
“Viti 2019 është vit krucial jo vetëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë por edhe për vet të ardhmen e Ballkanit dhe BE-së. Pa dyshim, rikthimi i një qasjeje më proaktive të BE-së në Ballkanin Perëndimor është faktor kardinal në facilitim të procesit të demokratizimit dhe stabilizimit rajonal në përgjithësi. Sidoqoftë, kjo paparashikueshmëri politike nuk prodhon dekurajim nacional dhe stagnim në angazhime reformatore, por mobilizim maksimal në performancë institucionale për ta kapur momentin e pritur sipas parashikimeve të vetë Këshillit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE – Qershor 2019” theksonte ai, i vetëdijshëm për misionin e vështirë që kishte marrë përsipër si zëvendësministër.
E ky mision vjen e bëhet akoma më i madh për shpatullat e një filozofi të ri. Mësimet e Vitgenshtajnit mund t’i bëhen një ndihmë në këtë rrugë.