Marrja e kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e Finlandës nuk shihet si vendimtare për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Njohësit e proceseve integruese thonë se mandati 6-mujor i Finlandës mund të përfundojë pa pasur një vendim për vizat, pasi liberalizimi nuk është prioritet i saj, shkruan gazeta “Zëri”.
Prej ditës së djeshme, 1 korrik, deri në fund të këtij viti Bashkimi Evropian do të kryesohet nga Finlanda. Pavarësisht kësaj, gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi për Kosovën të finalizohet përgjatë kësaj periudhe kohore. Kështu konsiderojnë njohësit e proceseve integruese, të cilët thonë se edhe mandati i Finlandës mund të shkojë pa pasur një vendim për vizat, pasi liberalizimi nuk është prioritet i saj.
Mirëpo ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur optimiste se ky gjashtëmujor, ku Finlanda do ta kryesojë Presidencën e BE-së, do të jetë premtues për Kosovën. Hoxha së bashku me liderët e tjerë institucionalë në vazhdimësi kohët e fundit kanë fajësuar BE-në për mosliberalizim.