FKEE dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit nënshkruajnë grant prej 1.5 milionë eurosh

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), në emër të Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Daneze, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për projektin “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, me vlerë totale prej 1.5 milionë euro.

Sipas komunikatës, marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e mekanizmave të financimit për masat e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë për vetë-konsum në ndërtesat shumëbanesore dhe publike.

“Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e mekanizmave për financimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë për vetë-konsum në ndërtesat shumëbanesore, integrimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në ndërtesat publike, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të FKEE-së për implementimin e skemave të reja të financimit”, thuhet në komunikatë.

Në kuadër të projektit do të realizohen investime pilot në ndërtesa shumëbanesore dhe publike të përzgjedhura, me qëllim të përmirësimit të performancës energjetike dhe rritjes së përdorimit të energjisë së ripërtëritshme.

Po ashtu, projekti do të mbështesë krijimin e modeleve të reja të bashkë-financimit, të cilat do të kombinojnë grantet, kontributin e përfituesve dhe mekanizmat ekzistues të financimit të FKEE-së.

“Kjo marrëveshje forcon më tej partneritetin afatgjatë ndërmjet FKEE-së dhe GIZ në promovimin e iniciativave për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas njoftimit, projekti synon të ndihmojë Kosovën në përballimin e sfidave energjetike, përfshirë varësinë nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli dhe performancën e ulët energjetike të ndërtesave ekzistuese.

“Përmes aktiviteteve të planifikuara, projekti pritet të kontribuojë në uljen e konsumit të energjisë, reduktimin e emetimeve të CO₂, përmirësimin e komoditetit dhe kushteve të jetesës për qytetarët, si dhe në mbështetjen e objektivave të Kosovës për tranzicion energjetik dhe dekarbonizim”, theksohet në komunikatë.

Përfaqësuesit e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë e kanë cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për investime në efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë.

Projekti financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ-it dhe implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Të ngjashme