Ish-Nënkryetari i PDK-së nuk do të jetë kandidat as kësaj radhe për deputet. Adem Grabovci e ka konfirmuar se pengesë për kandidimin është aktakuza në rastin “Pronto”. Partia e Kadri Veselit ende po i mban të fshehur emrat e kandidatëve për deputetë.
Njeri prej njerëzve kryesor të PDK’së ka vendosur të mos jetë pjesë e listës së deputetëve të partisë.
“Nuk do të jem kandidat për deputet. Shkak është aktakuza”, ka thënë Grabovci, në një përgjigje të shkurtër për Express.
Ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së është duke u ballafaquar me një aktakuzë të ngritur Prokuroria Speciale për aferën e njohur “Pronto.
Pas kësaj aktakzue, Grabovci humbi fillimisht pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar. Pastaj u shkarkua edhe nga pozita e Nënkryetarit. Nuk e lejuan të kandidonte as për deputet në zgjedhjet e fundit.
Krejt kjo për shkak se ka një aktakuzë që si zyrtar i PDK’së ka punësuar dhe ka ndikuar në punësimet e njerëzve nëpër institucionet publike. Këto informacione ishin zbuluar në aferën e përgjimeve “Pronto”, në të cilën janë të përfshirë edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi, por që ndaj tyre askush s’ka ngritur asnjë procedurë gjyqësore.
Madje, në përgjime, Adem Grabovci i thotë disa herë Kadri Veselit se “ti i merr vendimet, unë i zbatoj”. Pasluftës ka mbajtur pozita në Qeveri e Parlament. Ka qenë edhe Zëvendësministër i Transportit. Në këtë kohë ai ishte përgjuar nga hetuesit ndërkombëtare ku kishin zbuluar disa biseda mes tij, Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe zyrtarëve të tjerë.
Por, aktakuza në rastin “Pronto” s’e ka pëfshirë as Thaçin dhe as Veselin.
Ditë më parë, Shefi i ri i PDK’së, Kadri Veseli tha se do t’i largojë nga pozitat publike të gjithë zyrtarët partiakë që kanë aktakzua.
Në fund të qershorit, Adem Grabovci kishte folur me përçmim kur ishte pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.
“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.
“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, ka thënë Grabovci