Flet Shkëlzen Maliqi: Pse exit polli doli i pasaktë

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 18:51 | Nga

Befasitë e para të rezultatit të zgjedhjeve filluan në orën 19:00, kur u publikuan rezultatet e Exit Poll’it të realizuara nga Klan Kosova. Më tej u përfol shumë rreth nivelit të saktësisë së këtij sondazhi. Në llogari të tij, ose për huqjet e tij, u komentua shumë në rrjete sociale.

Realizatori i tij Shkëlzen ka treguar pse gabuan rezultatin në Klinë dhe Prizren dhe shpjegon nëse do ketë përmbytje në Prishtinë.
Maliqi ka folur për rezultatet që i nxorën në Klan Kosova menjëherë pasi u mbyllën kutitë e votimit. Realizatori i Exit Poll’it thotë se nga 11 komunat ku i kishin mbajtur sondazhet, vetëm në dy komuna nuk dolën të saktë.

Klina dhe Prizreni ishin dy komunat që sipas Exit Poll’it do t’i fitonte PDK’ja, por që Prizrenin e fitoi Vetëvendosje, ndërsa Klinën AAK.

“Prej 11 komunave në nëntë e kemi qëlluar se kush del fitues, përfshirë këtu edhe Prishtinën. Vetëm në Prizren kemi gabu pak më shumë, kemi qenë afër margjinës së gabimit dhe në Klinë, që ka qenë e madhe”.

Por, çka ndikon që sondazhet t’ia huqin, jo vetëm përqindjes, që është e kuptueshme, por edhe komplet rezultatit të një komune?

Maliqi thotë se ka shumë faktorë që rezultojnë me gabime në matje.

“Mund të jetë ekipi se si ne e kemi, të anketuarit ose anketuesit nuk e tregojnë ose e fshehin, por ne mundohemi me i kontrollu. Por meqë koha e raportimit është e shkurtër, ndodh”, ka thënë realizatori i Exit Poll’it.

Ndërsa për garën e ngushtë dhe tejet dramatike që ndodhi sidomos në këto zgjedhje, Maliqi thotë se është fenomen i ri, e ndryshuar edhe nga partitë edhe nga elektorati.

“Është një fenomen relativisht i ri. Ma herët kur kanë ndodhur balotazhet, votuesit e partive tjera, të kandidatëve tjerë që nuk kanë fituar vota, nuk kanë qenë të motivuar për të dalë. Zakonisht ai që ka pasur përparësi në rundin e parë, ka fituar edhe në të dytin”.

Sipas Maliqit, kandidatët e diskualifikuar po dëshirojnë të jenë pjesë e pushtetit, prandaj edhe po krijojnë koalicione që po ndryshojnë rezultatin e rundit të parë.

“Kemi pasur raste kur kandidati që ka pasur përparësi shumë të madhe në rundin e parë, mobilizimi i partive opozitare të interesuara për ndryshimin e pushtetit, ose i afrohen të parës ose edhe e tejkalojnë”, është shprehur ai.

Maliqi nuk mendon se votat me kusht do të jenë shumë përcaktuese, marrë parasysh edhe numrin e vogël të tyre, përveç në Prishtinë dhe Prizren ku numri i tyre është më i lartë. (Express)

Të ngjashme