FMN kushtëzon përmbylljen e Marrëveshjes me Kosovën

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 14:12 | Nga

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në udhëheqjen e Jacques Miniane, vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 9-18 nëntor 2016 për të mbajtur diskutime mbi rishikimin e dytë dhe të tretë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) të Kosovës me FMN-në. Në përmbyllje të vizitës, z. Miniane lëshoi deklaratën në vijim.

Deklaratë përmbyllëse e misionit të FMN-së për Rishikim të Programit SBA

Misioni i FMN-së pati diskutime konstruktive me autoritetet kosovare dhe arriti marrëveshje në nivel të stafit mbi politikat e nevojshme për të përmbyllur rishikimin e dytë dhe të tretë në kuadër të Marrëveshjes SBA. Marrëveshja kushtëzohet me përmbushjen e veprimeve të politikave që kanë të bëjnë me masat fiskale dhe strukturore, si dhe aprovimin e saj nga ana Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi i saj nga Bordi Ekzekutiv është caktuar tentativisht në fillim të vitit 2017. Përmbyllja e rishikimit do t’i siguronte në dispozicion 79.2 milionë SDR (rreth 100 milionë euro), duke çuar totalin e fondeve të disbursuara në 135.4 milionë SDR (rreth 170 milionë euro).

Ekonomia vazhdon të performojë mirë, me rritje prej 4.1 për qind vitin e kaluar dhe më ritëm të ngjashëm të rritjes për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Remitancat e qëndrueshme, rritja e kreditimit bankar që tani ka shënuar rritje prej më shumë se 9%, si dhe projektet e vazhdueshme të mëdha infrastrukturore kanë kontribuar në këtë performancë. Në të njëjtën kohë, ekonomia vazhdon të përballet me sfida të thelluara strukturore, duke përfshirë një deficit të vazhdueshëm të lartë tregtar. Trajtimi i këtyre sfidave kërkon përpjekje shtesë dhe të qëndrueshme për të zhvilluar një sektor privat më dinamik, të orientuar drejt eksporteve. Një gjë e tillë do të zbuste niveli ekzistues të lartë të papunësisë.

Disiplina fiskale përgjithësisht është ruajtur, ndonëse po shtohen presionet nga shpenzimet rrjedhëse. Të hyrat tatimore kanë përfituar nga performanca e fortë e rritjes, të cilat kanë shënuar rritje në përputhje me caqet përkatëse. Kjo, kombinuar me përpjekjet për të mbajtur shpenzimet brenda ndarjeve buxhetore përkundër presioneve gjithnjë më të mëdha nga pensionet e veteranëve të luftës, nënkupton që qeveria me shumë gjasë do të përmbush cakun e deficitit prej 98 milionë euro sipas buxhetit dhe sipas programit të FMN-së. Për sa i përket vitit 2017, buxheti i dorëzuar në kuvend siguron një bilanc të mirë ndërmjet maturisë fiskale, me një deficit të pritur nga projektet kapitale financuar me mjete nga AKP dhe donatorët prej rreth 100 milionë euro, dhe kujdesit të duhur për nevojat e vendit. Në veçanti, duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’i mbajtur nën kontroll shpenzimet rrjedhëse, për të krijuar hapësirën për zgjerimin e nevojshëm të buxhetit kapital.

Përgjatë gjashtë muajve të fundit, është krijuar një kuptim i përgjithshëm se duhet të reformohen disa skema të caktuara të mbrojtjes sociale dhe pensionale. Në mungesë të reformës, numri më i madh se që pritej i veteranëve të certifikuar të luftës, së bashku me numrin e invalidëve të luftës të certifikuar së fundi, mund të rrisin shpenzimet në më shumë se 100 milionë euro në vit, që është ndjeshëm më shumë se që mund të përballojë Kosova pa cenuar shpenzimet tejet të nevojshme në fushat e tjera prioritare. Këto skema pensionale, gjithashtu, dekurajojnë njerëzit nga mbajtja e vendeve të tyre të punës, kërkimi për punë, apo deklarimi i sinqertë i të ardhurave. Në këtë kontekst, qeveria është duke planifikuar reforma në këto skema, me fokus në riklasifikimin e veteranëve tashmë të certifikuar të luftës sipas kontributeve të tyre të ndryshme gjatë luftës, duke përshtatur përfitimin e tyre sipas kontributit. Kjo jo vetëm që mëton të sigurojë kursime buxhetore dhe stimulim më të mirë të tregut të punës, por edhe është bërë për konsiderata të qeverisjes. Por, që ky riklasifikim të jetë i suksesshëm dhe i pranuar nga të gjithë, ai duhet të bazohet në kritere të qarta dhe transparente të përcaktuara me ligj, dhe i njëjti duhet të administrohet nga një komision i kualifikuar dhe i paanshëm.

Bankat vazhdojnë të jenë likuide, profitabile dhe të kapitualizuara mirë, duke vazhduar të jenë në pozitë të kontribuuesit të rëndësishëm për rritje ekonomike. Po ashtu, cilësia e aseteve është duke u përmirësuar, me raport të KJP prej 5.1 për qind në shtator. Banka Qendrore së fundi ka aprovuar kornizën makroprudenciale, e para e këtij lloji, e cila do të jetë kyçe për të identifikuar dhe, sipas nevojës, trajtuar rreziqet sistematike në sektorin financiar. Është arritur progres i ndjeshëm në fushën e zbatimit të kontratave, progres ky që u jep bankave siguri më të madhe për të lëshuar kredi në norma të ulëta dhe duke kërkuar më pak kolateral. Më tutje, aprovimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në ligjin për procedurën përmbarimore do ta thellonte këtë progres, duke e bërë më të vështirë që debitorët lehtësisht t’i sfidojnë urdhrat e përmbarimit dhe t’i dërgojnë rastet e tyre në gjykata. Një tjetër sektor që ka nevojë për vëmendje është ai sigurimeve: është sektor i vogël, joprofitabil dhe me kapitalizim të dobët, dhe si i tillë nuk është duke kontribuuar në thellimin financiar të vendit. Aplikimi i rregullave të reja prudenciale më 1 janar do të jetë hapi i parë drejt stabilizimit të këtij sektori.

Përparim i mirëpritur është duke u shënuar në fushën e prokurimit publik, që synon ta bëjë atë më transparent dhe efikas. Në këtë kontekst duhet përgëzuar planet për të kaluar tërësisht në prokurim elektronik dhe për të vazhduar me zgjerimin e listës së mallrave dhe shërbimeve të furinuzara me prokurim të centralizuar.

Përveç kësaj, përpjekjet e dy viteve të fundit për t’i harmonizuar pagat sipas trendeve të produktivitetit, bashkë me avancimin e ngadaltë të infrastrukturës së vendit, do të kontribuojnë gradualisht drejt një ekonomie më dinamike dhe të diversifikuar. Por kjo është vetëm pikënisje: rritja domethënëse e standardeve të ulëta të jetesës në Kosovë dhe krijimi i vendeve të punës për popullatën më të re të Evropës do të kërkojë edhe fuqizimin e sundimit të ligjit, gjetjen e mënyrave për të kanalizuar rrjedhat e mëdha të diasporës në shfrytëzim më produktiv, si dhe trajtimin e sigurisë së energjisë.

Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë bashkëbiseduesit tonë për mirëpritjen e tyre të ngrohtë dhe diskutimet e sinqerta dhe të hapura gjatë rrjedhës së misionit.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/ekonomi/hoti-fmn-ne-jemi-pajtuar-per-skemen-e-veteraneve/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme