Kur në zgjedhjet e fundit nacionale, ish-kryeministri, tash kryetari i shtetit, Hashim Thaçi premtoi dhe rriti pagat në sektorin publik, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte treguar e ashpër ndaj tij. Tash, kur LDK udhëheq me ekzekutivin, i pari i kësaj partie, njëherësh kryeministër i Kosovës, ndoqi hapat e paraardhësit të tij, duke propozuar rritje pagash në disa dikastere publike.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë , kryeministri Mustafa kërkoi nga Ministria e Financave që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar të propozojë rritjen e pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.
Këtë ai e ripotencoi edhe njëherë mëngjesin e sotëm përmes një postimi në ‘Facebook’.
“Në mbledhjen e Qeverisë kërkova të përgatitet rritja e pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë. Kemi treguar rritjen më të lartë ekonomike në rajon, stabilitet buxhetor dhe disiplinë shembullore financiare “, ka shkruar sot në profilin e tij zyrtar, kryeministri Isa Mustafa.
Kërkesa e kryeministrit nga partitë opozitare dhe ekspertët e ekonomisë është konsideruar premtim elektoral dhe njëkohësisht edhe keqpërdorim i pozitës zyrtare për interesa partiake.
Propozimi i kryeministrit Mustafës për rritje pagash duket se është marrë pa asnjë konsultë paraprake me institucionet financiare ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Në një përgjigje për Gazetën Observer, përfaqësuesi i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen , ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me FMN-në fare për mundësinë e rritjes së pagave.
“ Ne nuk jemi konsultuar për një rritje të mundshme të pagave në sektorin publik”, ka thënë Vermeulen .
Rritja e pagave sipas përfaqësuesit të FMN-së në Kosovë, nuk mund të ndodhë asesi gjatë këtij viti.
“Në buxhetin e aprovuar për vitin 2017, dhe në objektivat fiskale si pjesë e programit të mbështetur nga FMN-ja, nuk ka vend për rritjen e pagave”, ka thënë Vermeulen në përgjigjen dhënë Gazetës Observer.
“ Sa i për-ketë vitit 2018, zhvillimet e pagave të sektorit publik do të duhej të udhëhiqen nga rregullat e buxhetit për paga që do të mund të hyj në fuqi vitin tjetër. Ky rregull është po ashtu, ligjërisht e sanksionuar dhe linja e pagave të sektorit publik është në varësi me rritjen ekonomike, pra, një ndërlidhje më e mirë e pagave me nivelin e produktivitetit në vend” , ka përfunduar Vermeulen.