Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të vazhdojë të përkrah projektet zhvillimore në Kosovë, ka deklaruar Shefi i Misionit të FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, në takimin që zhvilloi sot me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Ministri Lluka informoi drejtuesit e FMN-së me orientimet e MZHE gjatë këtij mandati, me ç’rast ritheksoi se energjia, respektivisht siguria e furnizimit dhe projektet rajonale të energjisë do të jenë ndër prioritetet kryesore.
Kreu i MZHE-së dhe shefi i Misionit të FMN-së diskutuan edhe për ecurinë e projektit të TC Kosova e Re, duke vlerësuar se realizimi i tij do të ndikonte direkt në stabilitetin e furnizimit me energji, hapjen e vendeve të punës, respektivisht zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri Lluka ka falënderuar FMN për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, duke renditur atë ndër partnerët kryesorë financiar ndërkombëtarë të Qeverisë së Kosovës.