“Fol, mos u tut”, gazetarët protestojnë para Qeverisë

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 12:40 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Fol, mos u tut”, dhjetëra gazetarë kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kundër tendencës për të kufizuar lirinë e medieve dhe shprehjes në përgjithësi, sidomos përmes iniciativës së fundit për Penalizimin e Fyerjes dhe Shpifjes në vendin tonë.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, ka thënë se Kosova radhitet në vendet pjesërisht të lira sa i përket lirisë së shprehjes dhe se është koha e fundit që institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

“Keni parë së fundi dhe iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë, e përkrahur dhe nga presidenti Thaçi, të paktën kështu është thënë jozyrtarisht, për ndryshimin e Kodit Penal dhe rikthimin e neneve të cilat ne si komunitet i kemi kundërshtuar. Normalisht që mobilizimi i organizatave të ndryshme joqeveritare, dhe AGK-së, ka bërë që Ministria e Drejtësisë të tërhiqet nga propozimi i saj”.

“Megjithatë dëmi është bërë për shkak se kemi pasur një kërcënim serioz për të na ngulfatur zërin gazetarëve. sepse e dimë që Kosova ka një sistem të brishtë të drejtësisë dhe ato nene do të mund të keqpërdoreshin”, theksoi Hysenaj.

AGK ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 6 raste për kërcënime ndaj gazetarëve.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KShMK) tha se organizata përfaqësuese të gazetarëve nuk po kërkojnë privilegje nga autoritetet ose kushdoqoftë tjetër… “Ne po kërkojmë që thjesht të na lënë të lirë ta bëjmë punën tonë”.

“Por, njëkohësisht kërkojmë përgjegjësi nga anëtarët tanë, në kuptimin që të jemi të përgjegjshëm karshi publikut karshi informimit të drejtë dhe gazetarisë korrekte dhe funksionale”, theksoi Mushkolaj.

Budimir Niçiq nga Shoqata e Gazetarëve “të Kosovës dhe Metohisë”, tha se nga viti i kaluar, kur me aktivitete të ngjashme ishte shënuar 3 Maji – Dita e Lirisë së Shprehjes asgjë nuk ka ndryshuar në Kosovë. “Sulmet në gazetarët kanë vazhduar, po ashtu situata ekonomike e gazetarëve vazhdon të jetë e keqe”.

Sipas tij, në gjendje të keqe janë sidomos gazetarët e komunitetit serb.

Protesta e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, së bashku me Këshillin e Medieve të Shkruara të Kosovës (KShMK), të përkrahur dhe nga organizata të tjera të shoqërisë civile, është mbajtur në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Gazetarët e medieve kosovare kanë qëndruar për rreth 15 minuta para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë, duke mbajtur në duar pankarta ku shkruante “Fol mos u tut”, “Stop censurës”, “Më paguaj punën” etj.

Të ngjashme