FOL reagon ndaj vendimit të KPK-së: Shkarkimi i Kelmendit, veprim i kundërligjshëm dhe precedent i rrezikshëm

Prishtinë | 20 Nën 2025 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja FOL ka shprehur shqetësim pas monitorimit të mbledhjes së sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), gjatë së cilës u vendos për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Organizata thekson se ky vendim u mor në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e rregullta.

“Ky vendim është ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme, në mungesë të kuorumit dhe jashtë çdo procedure të rregullt, duke përbërë një veprim arbitrar nga ana e disa anëtarëve të KPK-së”, thuhet në reagimin e FOL.

Sipas tyre, propozimi për shkarkimin e Kelmendit, i paraqitur nga zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, u shtua në rend dite pa paralajmërim dhe pa qenë pjesë e agjendës zyrtare. Si rezultat, pesë anëtarë të Këshillit u larguan nga mbledhja, duke bërë që të humbej kuorumi ligjor.

“Pavarësisht mungesës së qartë të kuorumit, pjesa tjetër e anëtarëve vazhduan diskutimin dhe votimin, duke shkelur drejtpërdrejt Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe rregullat e punës së institucionit”, thekson më tej Lëvizja FOL.

Organizata vlerëson se ky veprim cenon rëndë integritetin e sistemit prokurorial dhe dëmton besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.

“Një vendimmarrje e tillë, e ndërmarrë përtej kompetencave dhe jashtë procedurave të përcaktuara, krijon precedent të rrezikshëm dhe hapësirë për ndërhyrje në pozitat kyçe të drejtësisë”, paralajmëron FOL.

Lëvizja FOL kërkon që KPK të zbatojë pa përjashtim standardet ligjore dhe procedurale, duke siguruar integritet dhe transparencë të plotë në funksionimin e sistemit prokurorial.

Të ngjashme