Fondacioni “Unë e Du Kosovën” themeloi “Bursën BONEVET” në AUK

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Fondacioni “Unë e Du Kosovën” dhe RIT Kosovë (A.U.K) nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi për të krijuar “Bursën BONEVET” në RIT Kosovë (A.U.K).
Kjo iniciativë synon të mbështesë studentët e talentuar të rrjetit BONEVET që janë ekonomikisht në gjendje të pafavorshme, të ndjekin studimet në RIT Kosovë (A.U.K). 

Z. Vllaznim Xhiha dhe Znj. Nita Xhiha, në vitin 2008, themeluan fondacionin për të inkurajuar qytetarët e Kosovës të përfshihen në projekte sociale që lidhen me avancimin e arsimit, promovimin e artit dhe artizanatit, dhe zhvillimin e aftësive sportive. Në vitin 2014, në Gjakovë, fondacioni fillimisht themeloi “Makerkids-Makerspace” të quajtur BONEVET me një kurrikulë mësimore të bazuar në projekte, duke u mundësuar fëmijëve dhe studentëve të ushtrojnë fuqinë e mendimit, fuqinë e imagjinatës dhe fuqinë e krijimtarisë.  Vllaznimi dhe Nita, si përkrahës të BONEVET, besojnë se “hapja e dyerve për rininë e merituar dhe të privuar nga Kosova është e mundur vetëm përmes durimit, besimit dhe sigurisht, me përfshirje të secilit qytetar të Kosovës “dhe se” Kosova ka nevojë të menjëhershme për një rini të arsimuar e cila do t’i shndërrojë burimet natyrore dhe njerëzore në sferën e produktivitetit më të lartë, për ngritjen e mirëqenies dhe atraktivitetit të Kosovës”.

Kjo skemë e bursave është vazhdim i angazhimit të avancimin të arsimit dhe edukimit të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës.

Dr. Kamal Shahrabi, President i Përkohshëm dhe Dekan i Fakultetit në RIT Kosovë (A.U.K) falënderoi Z. dhe Znj. Xhiha për këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe theksoi “vizioni ynë i përbashkët për arsim është çelësi i krijimit të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës – dhe e vetmja rrugë drejt suksesit është përmes miqve dhe përkrahësve tanë, si ju. RIT Kosovë (A.U.K) dhe Fondacioni “Unë e Du Kosovën” kanë një histori të gjatë të shërbimit ndaj komunitetit lokal, dhe së bashku përpiqemi të mbështesim studentët që tregojnë të njëjtin angazhim. Ju falenderoj për besimin dhe për mbështetjen e kësaj iniciative të përbashkët për krijimin e liderëve të rinj të Kosovës ”.
Bursa “BONEVET” është një bursë katër vjeçare që mbulon 80% të shkollimit në RIT Kosovë (A.U.K) dhe do të jepet përmes një procesi konkurrues për anëtarët dhe studentët e gjithë rrjetit BONEVET në Kosovë.  Një bursë do të jepet çdo vit dhe bursa e parë do të jepet në semestrin e vjeshtës të vitit akademik 2020/21.

Më shumë informata mbi kriteret e bursave do të postohen në faqen e internetit të BONEVET dhe RIT Kosovë (A.U.K).

Fondacioni “Unë e Du Kosovën” është themeluar në vitin 2008 në Prishtinë, Kosovë dhe që nga ajo kohë ka inkurajuar zhvillimin shoqëror në Kosovë duke mbështetur projekte në fusha të ndryshme, në veçanti në art, arsim dhe sport.
BONEVET është një institucion arsimor jofitimprurës dhe joformal i themeluar në vitin 2014 nga Fondacioni “Unë e Du Kosovën” si një mjedis miqësor për fëmijë i krijuar për të stimuluar kureshtjen, imagjinatën dhe krijimtarinë e fëmijëve.
RIT Kosovë (A.U.K) është institucioni i vetëm i arsimit të lartë jofitimprurës në Kosovë që ligjëron plotësisht në gjuhën angleze. Gjithashtu është i vetmi institucion në Kosovë, ku diploma është e akredituar dhe e njohur në të gjithë botën falë partneritetit tonë me Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT) në New York.

Të ngjashme