Fondi për Garanci Kreditore dhe SIDA me marrëveshje prej 14.9 milionë €, do të përkrahen gratë dhe eksportet

Prishtinë | 07 Dhj 2023 | 11:33 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë në vlerë prej 14.9 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se kjo marrëveshje është në të mirën e ekonomisë së vendit. Sipas folësve, kjo ngjarje vërteton përkushtimin e institucioneve për të nxitur rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike në Kosovë, me përkrahjen e SIDA-s.

Kryesuesi i Bordit të FKGK-së, Agan Azemi, tha se bashkëpunimi me SIDA-n ka filluar qysh në vitin 2018 me marrëveshje fillestare me vlerë 10 milionë euro.

Përderisa marrëveshja e arritur të enjten prej 14.9 milionë euro, tha ai se parasheh të lehtësojë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke u mundësuar një kredidhënie deri në 55 milionë euro.

“Marrëveshja e nënshkruar sot shënon bashkëpunimin tonë të dytë me SIDA-n që nga viti 2018, kur marrëveshja fillestare me vlerë 10 milionë euro u realizua me sukses, duke mundësuar kredidhënie rreth 40 milionë euro. Marrëveshja e garancisë e finalizuar sot, në vlerë 14.9 milionë euro, shërben si dëshmi e mëtejshme e angazhimit tonë për të garantuar kredi për NMVM-të”.

“Kjo marrëveshje parashikohet të lehtësojë qasjen në financa për NMVM-të duke u mundësuar një kredidhënies deri në 55 milionë euro. Mundësitë e ofruara nga Marrëveshja e Ri-garancisë e nënshkruar sot do të hapin rrugën për ofrimin e kushteve më të favorshme për kredi të rigarantuar përmes dritareve të FKGK-së si: ‘Dritare për gratë në biznes’, ‘Dritarja e eksportit’ dhe ‘Dritarja GROW’”.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se FKGK-ja mbetet mekanizëm shumë i rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil.

Me këtë rast ai garantoi se bashkëpunimi do të fuqizohet në interes të zbatimit të objektivave, raporton EO.

“Rritja e vazhdueshme e kapitalit të FKGK-së kombinuar me skema rigarantuese, duke përfshirë edhe marrëveshjen e sotme të rigarancionit ndërmjet FKGK-së dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim ndikon në zgjerimin e qasjes në financa, rritjen e konkurrencës, zvogëlimit të hendekut të financimit me kushte konkurruese, ruajtjen e nivelit të kredive jo-performuese dhe të stabilitetit financiar e që janë edhe në përputhje me strategjinë dhe mandatin e BQK-së”.

“BQK-ja e konsideron FKGK-në si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil, me ndikim në mbështetje të ekonomisë. Prandaj, edhe bashkëpunimi do të fuqizohet në interes të zbatimit të këtyre objektivave”, tha ai.

Të rëndësishme këtë marrëveshje e konsideroi edhe ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që nga fillimi ka qenë pjesë e themelimit të Fondit, ka kontribuar në hartimin e ligjit dhe në kapitalin themeltar të FKGK-së. Ky instrument financiar ri garantues, është një mundësi më shumë për të adresuar nevojat e ndërmarrjeve private në Kosovë për qasje në financim e cila ka në fokus rritjen e mundësive për investime të gjelbra, ndërmarrjet në pronësi apo të udhëhequra nga gratë, si dhe ndërmarrjet eksportuese. Për më tepër jam e lumtur që zgjerimi Fondit KGK dhe rritja e portofolit të kredive për NMVM-të, është vlerësuar si arritje edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian”.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se synojnë të krijojnë 2 700 vende të punës me marrëveshjen prej 55 milionë euro.

“Përpjekjet tona të përbashkëta me Fondin synojnë arritjen e 55 milionë euro investime, krijimin e 2 700 vendeve të reja të punës, rritjen e barazisë gjinore në sektorin e biznesit dhe kalimin në një ekonomi më të gjelbër”.

Të ngjashme