Fondi për Garantimin e Kredive deri në fund të vitit pritet të arrijë vlerën deri në 50 milionë euro. Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Bedri Hamza. Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se bizneset përballen me barriera të mëdha në punën e tyre, e një prej tyre është edhe qasja në financa dhe kamatat e larta të kredive bankare.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore nëpërmjet garantimit të portofolit kreditor të bankave partnere, ka arritur të ndihmojë në lehtësimin e qasjes në financa për bizneset vendore. Deri më tani mbi një mijë biznese kanë përfituar nga ky fond.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se qëllimi i këtij fondi është ndihmesa ndaj bizneseve kosovare, ndërsa thotë se deri në fund të vitit, fondi për garanci kreditore do të arrij vlerën mbi 50 milionë euro.
“Shumë djem dhe vajza kryejnë shkollim shumë të vlefshëm dhe kanë ide shumë të mira, shumë plane biznesi që kanë fizibilitet, por nuk kanë historik, nuk kanë kolateral, bankat kanë standardet e veta, dhe kjo është themeluar si ide për ndërmarrjen e kësaj forme të biznesit. Ky fond pret që deri në fund të këtij viti, duke i marrë të gjitha burimet në dispozicion, ta kalon 50 milionëshin. Presim që në vitin e ardhshëm ky fond ta mbërrijë kapitalin prej 100 milionë, i cili është i mjaftueshëm për garanti. Në bazë të legjislacionit dhe rregulloreve aktuale, mund të shkojë deri ne 300 milionë garanti për kredi”, ka thënë Hamza.
Fondi për Garantimin e Kredive është një ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor, thonë përfaqësuesit e bizneseve kosovare.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha për Radio-Kosovën se kjo është edhe një nga arsyet që bizneset hezitojnë të investojnë në Kosovë.
“ Bankat komerciale, për një garancion të një kredie kërkojnë trefishin e vlerës së lëshuar, dhe gjithmonë qytetarët dhe bizneset e vendit nuk po kanë më se çfarë të japin, por kanë mbetur që ata të mbesin me investimet që kanë marrë më herët dhe të paguajnë ato investime. Ky fond i qeverisë do të duhej të rritej në mënyrë urgjente, në mënyrë që bashkërisht të marrin këtë përgjegjësi dhe të rriten investimet, punësimet, eksporti si esencial për zhvillim ekonomik të vendit për të cilën neve po na mungon”, tha Shahini.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që u lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.