Fqinji i Rusisë afër anëtarësimit në NATO, brenda pak javësh merr vendimin

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Fqinji i Rusisë, Finlanda pritet të vendosë brenda javësh dhe jo muajsh nëse do të aplikojë për anëtarësim në NATO, tha të mërkurën kryeministrja finlandeze, Sanna Marin.

Duke folur në Stokholm pas një takimi dypalësh me kryeministren suedeze Magdalena Andersson, ajo tha se do të ishte më mirë të koordinohej me Suedinë për të marrë vendime të ngjashme sigurie.

“Ne duhet të kemi një pikëpamje për të ardhmen dhe ne po e përdorim këtë kohë për të analizuar dhe gjithashtu për të ndërtuar pikëpamje të përbashkëta për të ardhmen kur bëhet fjalë për sigurinë”, tha Marin.

“Nuk do të jap asnjë lloj date se kur do të marrim vendimet tona, por mendoj se do të ndodhë mjaft shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”.

Parlamenti finlandez mori të mërkurën një letër mbi ndryshimet në mjedisin e sigurisë së vendit pas sulmit të fqinjit të saj Rusisë ndaj Ukrainës. Raporti pritet të nënshkruhet nga ligjvënësit dhe të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Andersson nuk shkoi aq larg sa Marin, duke thënë se Suedia ishte ende duke peshuar vendimin dhe duke vënë në dukje se atje ka zgjedhje në shtator, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Nga ana tjetër, mediumi suedez “Svenska Dagbladet” duke u thirrur në burime të tyre raporton se kryeministrja suedeze Andersson ka vendosur që të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe ka për qëllim që Suedia të anëtarësohet në aleancën veriatlantike në muajin qershor.

Qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, kur filloi pushtimin e Ukrainës ishin të qarta; ai donte të që ta bënte Perëndimin të mendonte dy herë për zgjerimin ushtarak dhe politik drejt kufijve të Rusisë.

Por, plani i Putinit duket se ka dështuar. Lufta ka bashkuar Perëndimin kundër Moskës në atë mënyrë saqë ishte e paimagjinueshme në janar.

Tani, Finlanda dhe Suedia – kombe që nuk janë zyrtarisht të anëtarësuar – po afrohen gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit në NATO, aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Të ngjashme