Kryeministri francez, Edouard Philippe, tha të mërkurën se reaktori bërthamor “Fessenheim”, i ndodhur afër kufirit me Gjermaninë, do të mbyllet plotësisht në fund të muajit qershor, ndërsa një pjesë e tij do të mbyllet këtë fundjavë.
Përmes një deklarate, kryeministri Phillipe këtë vendim e cilësoi si fazë të parë të strategjisë energjetike të Francës, të caktuar në vitin 2018 nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në këtë plan përfshihet baraspeshimi i energjisë bërthamore dhe asaj që fitohet nga burimet e ripërtëritshme.
Në këtë deklaratë gjithashtu u tha se nxjerrja e thëngjillit në termocentrale gjithashtu do të përfundojë në vitin 2022 me qëllim të zvogëlimit të gazrave dhe mbrojtjes së klimës.
Reaktori numër 1 do të pushojë së funksionuari të shtunën, ndërsa i tërë kompleksi bërthamor do të mbyllet më 30 qershor, thuhet në njoftim.
Gjermania ka kërkuar për një kohë të gjatë që ky reaktor të mbyllet. Ai është reaktori i parë që do të mbyllet sipas planit të presidentit Macron.
Franca i siguron rreth dy të tretat e energjisë elektrike nga burimet bërthamore, më shumë se çdo vend tjetër, shkruan “France24”.