Franca do të fillojë t’i zbusë masat kufizuese këtë fundjavë, duke lejuar shitoret dhe kinematë që të rihapen, ka thënë presidenti Emmanuel Macron, raporton BBC.
Njerëzit po ashtu do të jenë në gjendje të ndajnë “momente me familjen” gjatë periudhës së Krishtlindjes, ka thënë Macroni.
Ai ka shtuar se Franca e ka kaluar kulmin e valës së dytë të infeksionit me koronavirus.
Franca ka raportuar gati 2.2 milionë raste të infeksionit dhe mbi 49 mijë të vdekur si pasojë e COVID-19.
Në një adresim televiziv, Macron, ka thënë se kufizimet do të zbuten nga 15 dhjetori për periudhat festive, ku do të hiqet kufizimi i përgjithshëm i udhëtimit, përderisa numri i të infektuarve të rinj të jetë 5000 në ditë.
Ai ka thënë se shpreson që Franca të nis me vaksinimin kundër COVID-19 “në fund të dhjetorit apo fillim të janarit”, duke filluar me të moshuarit dhe ata që janë më të cenueshëm.
Presidenti i Francës ka thënë se situata do të rishikohet më 20 janar, dhe nëse infeksionet mbesin të ulëta, atëherë baret dhe restorantet do të lejohen të hapen. Universitetet po ashtu do të jenë në gjendje të pranojnë sërish studentët.
Mirëpo, nëse situata përkeqësohet, atëherë ka thënë se do të shohë opsione për të evituar valën e tretë.
“Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të evituar valën e tretë, të bëjmë çdo gjë për të evituar mbylljen e tretë”, ka thënë Macron.