Evropa është vënë në alarm nga përhapja e shpejtë e koronavirusit. Autoritetet franceze sot e konfirmuan vdekjen e dytë, ndërsa ekziston frika se numri i personave të infektuar në Itali mund të vazhdojë të rritet.
Zyrtarët francezë njoftuan se një burrë 60-vjeçar vdiq gjatë natës pasi u dërgua në gjendje të rëndë në një spital të Parisit. Viktima e parë në Francë ishte një 80-vjeçar kinez.
Ndryshe, qeveria greke ka njoftuar se do t’i mbyllë shkollat, kishat, kinematë dhe sallat e sporteve, nëse konfirmohen raste të koronavirusit në territorin e saj.
Italia është shteti më i goditur nga koronavirusi në Evropë deri më tash. Aty janë regjistruar 11 vdekje dhe 322 raste të infektimeve, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Personat që më parë kishin qenë në Itali tashmë e kanë përhapur koronavirusin edhe në shtete të tjera, përfshirë Austrinë, Kroacinë, Zvicrën, Gjermaninë, Francën, Spanjën dhe Algjerinë.
Frikë për numër të madh të personave të infektuar ekziston edhe në Britaninë e Madhe për shkak të vizitës së shtetasve britanikë në Itali gjatë pushimeve dimërore.
Deri më tash, më shumë se 81 mijë persona janë infektuar me virusin e ri në mbarë botën, ndërsa gati 2800 kanë vdekur.