Kampionët në fuqi të botës, Franca, kanë marrë fitore 4:1 në rrugëtimin e tyre për ta mbrojtur epitetin e kampionëve. Testi i parë, Australia, u kalua me sukses.
Francezët e panë veten në disavantazh pas 9 minutave lojë, kur Goodwin shënoi për 0:1. Në të njëjtin aksion, Franca mbeti pa Lucas Hernandez, i cili pësoi një lëndim.
Golin e barazimit e gjeti Adrien Rabiot, i asistuar për mrekulli nga Theo Hernandez, kurse në minutën e 32’, Rabiot doli në rolin e asistuesit për Giroud që ta çonte Francën në epërsi 2:1.
Në pjesën e dytë, Franca vazhdoi dominimin. Golin e gjeti edhe Kylian Mbappe, në minutën e 68’ të takimit.
Kurse, Giroud, për të barazuar rekordin e Thierry Henry dhe për t’u bërë golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares së Francës, shënoi golin e dytë personal sonte, në minutën e 71’. Me këtë gol, Oli shkoi në kuotën e 51 golave me fanellën e Francës.
Kjo fitore e çon Francën në tri pikë dhe ia jep pozitën e parë. Australia mbetet pa pikë, kurse Danimarka e Tunizia numërojnë nga një pikë. Këto kombëtare luajnë në grupin D.