Senati francez miratoi të enjten projektligjin e ri që do të vendoste pasaportën e vaksinës si detyrim për të hyrë në bare restorante dhe për të marrë pjesë nëpër aktivitete të ndryshme me prani të lartë fizike.
Për miratimin e projektligjit, u votua me 249 vota pro, 63 kundër dhe 26 abstenim.
Votimi u parapri nga dy ditë debatesh.
Sipas projektligjit, francezëve do t’u kërkohet pasaporta e vaksinimit për të hyrë nëpër bare, restorante, objekte kulturore dhe transport publik.
Me ndryshimet e reja, testi negativ për Covid-19 nuk do të jetë më i mjaftueshëm për aktivitetet e mësipërme, me përjashtim të hyrjes në spitale dhe qendra shëndetësore, raporton oranews.
Testi negativ do të jetë i mjaftueshëm për të miturit nga 12 deri në 17 vjeç.
Projektligji parashikon që pasaporta e vaksinimit të hyjë në fuqi, kur numri i të shtruarve nëpër spitale është mbi 10 mijë në mbarë vendin.
Aktualisht nëpër spitalet franceze, janë të shtruar 24 mijë persona si pasojë e infektimit me Covid-19. Kuvendi do të japë të premten fjalën e fundit për miratimin e projektligjit.