Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes Twitterit i ka uruar mirëseardhje Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Marrëveshjen e Parisit për klimën, pak pasi Joe Biden u betua si president i ri i SHBA-së.
Kjo Marrëveshje është krijuar me qëllim të mbrojtjes së planetit nga ndikimet e krizës klimatike.
Marrëveshja e Parisit, e pranuar nga 196 shtete ka për qëllim që të ulë temperaturën e globit nën 2 gradë celsius. Në vitin 2017 ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte tërhequr nga Marrëveshja e Parisit. Më 4 nëntor të vitit 2020, SHBA-ja zyrtarisht braktisi marrëveshjen, duke u bërë shteti i vetëm që largohet nga beteja ndaj ndryshimeve klimatike.
“Jemi bashkë. Do të jemi më të fortë në përballjen e sfidave të kohës sonë. Më të fortë për të ndërtuar të ardhmen tonë. Më të fortë për të mbrojtur planetin. Mirë se jeni kthyer në Marrëveshjen e Parisit”, ka shkruar Macron. “Urimet më të mira për ditën më të madhe për popullin amerikan”.
Presidenti Biden pritet të marrë disa veprime në orët e para të pushtetit, duke përfshirë kthimin e SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit.