Franca e ka mposhtur Poloninë në fazën e 1/8-ve të finales në Kupën e Botës me rezultat 3:1.
Franca e nisi shumë mirë ndeshjen duke e kontrolluar në përgjithësi lojën, megjithatë rasti i parë serioz për gol ishte për polakët.
Ishte minuta e 21-të e takimit, kur Polonia rrezikoi me anë të Robert Leewandowskit, por goditja e tij përfundoi jashtë.
Nëntë minuta më vonë, francezët rrezikuan përmes Olivier Giroud, mirëpo edhe gjuajtja e tij shkoi jashtë.
Ndërsa në minutën e 38-të, u regjistrua rasti më i mirë për Poloninë, por Piotr Zielnskit nga një distancë e afërt, e qëlloi në trup portierin Hugo Lloris.
Goli i epërsisë për Francën u shënua në minutën e 44-të, ku Kylian Mbappe asistoi te Giroud, që realizoi për 1:0.
Sulmuesi i PSG-së, me këtë gol u bë golashënuesi më i mirë në histori të Francës, duke kaluar Thierry Henryn i cili ishte i pari me 51 gola.
Pjesa e parë përfundoi me këtë gol, derisa në të dytën polakët provuan të rikthehen në lojë.
Megjithatë, Franca arriti të shënonte edhe njëherë me Kylian Mbappe, i cili e shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 74-të.
23-vjeçari mori një pasim të mirë nga Ousmane Dembele, i cili me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e mposhti portierin polak, Wojciech Szczesnyn.
Pas këtij goli, polakët si duket u dorëzuan dhe pësuan edhe një gol tjetër në minutën e parë shtesë.
Ishte përsëri Mbappe, i cili e shënoi një gol të mrekullueshëm, që ishte i pesti për të në këtë Kampionat Botëror, ndërsa i nënti në total.
Me këta dy gola, Mbappe tani e ka kaluar edhe legjendën braziliane, Pele, për golat e shënuar në Kampionate Botërore.
Pele ka tetë gola, ndërsa Mbappe tani ka nëntë.
Krejt çka bëri Polonia, ishte goli i nderit në këtë ndeshje, të cilin e arritën në minutat e fundit shtesë.
Fillimisht Lewandowski humbi penalltinë ndaj Lloris, por ajo u përsërit pasi që portieri francez lëshoi portën para kohe, derisa në tentimin e dytë, sulmuesi polak shënoi për 3:1.
Tani Franca kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Botës, ku tani e pret fituesin e duelit Angli – Senegal.