Një gjykatës francez ka akuzuar presidentin e klubit të futbollit Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, për korrupsion rreth ofertës që ka bërë për të organizuar kampionatin botëror të atletikës në Katar.
Burimet gjyqësore të cilat i citon agjencia e lajmeve AFP, thanë se rasti u fokusua në kampionatet e mbajtura në vitin 2017 dhe 2019.
Khelaifi, i cili është gjithashtu shefi i kanalit televiziv, BeIn Sports, është nën hetime që nga muaji mars.
Dy pagesa që arrijnë në vlerë prej 3.5 milionë dollarë, të bëra në vitin 2011, janë duke u hetuar. Londra fitoi ofertën për të organizuar kampionatet në vitin 2017, por Katari do të jetë nikoqir i këtij viti në muajin shtator.
Pretendohet se pagesat janë bërë nga Oryx Qatar Sports Investment – një firmë e zotëruar bashkërisht nga Nasser Al-Khelaifi dhe vëllai i tij, Khalid – në një firmë të drejtuar nga djali i Lamine Diackut, ish-presidentit të Federatës Botërore të Atletikës.
Lamine Diack u akuzua për korrupsion në mars të këtij viti në lidhje me rastin, ndërsa një urdhër arrest është lëshuar për djalin e tij në Senegal. /Telegrafi/