Presidenti francez Emmanuel Macron ka shqyrtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të parandaluar përsëritjen e protestave të dhunshme si dhe ka bërë thirrje për bashkëbisedim me protestuesit, tha zëdhënësi i presidencës franceze, Benjamin Griveaux.
Grupe të të rinjve me maska në fytyrë, si dhe mjete të forta, kanë protestuar në rrugët e Parisit duke shkaktuar dëme të mëdha material në vetura dhe ndërtesa.
“Duhet të mendojmë për veprimet që duhet të ndërmarrim për të mos u përsëritur këto incidente”, tha Griveaux, shkruan REL.
Autoritetet u zunë në befasi nga eskalimi në dhunë pas dy javë protestash në gjithë Francën kundër ngritjes së taksës së naftës.
Presidenti Emmanuel Macron do të mbajë një takim me kryeministrin dhe ministrin e brendshëm francez për të diskutuar rreth protestave dhe dialogut të mundshëm me protestuesit të njohur si “xhaketat e verdha” që nuk kanë lider apo udhëheqës, por u mobilizuan përmes rrjeteve sociale.
Protestat filluan më 17 nëntor dhe shumë shpejt u rritën në numër, duke bllokuar rrugët në gjithë Francën si dhe qarkullimin nëpër shumë vende publike.