Në vitet ’90 Bill Gates ishte i pakonkurrueshëm. Ato pak ide inovatore në rastet më të mira shkriheshin ose bliheshin prej Microsoft, ndërsa në rastin më të keq detyroheshin të falimentonin apo të liheshin në harresë.
Bill Gates kishte një politike agresive ndaj rivalëve. Ai udhëhiqej nga parimi “bashkohu, bliji ose shkatërroi”. Nëse dy të parat nuk ndodhnin, i konkurronte duke nxjerrë të njëjtin shërbim apo ide në treg me çmim më të ulët e natyrisht me platformë të ngritur, që ishte Microsoft.
Sot, Gates është tërhequr disi nga ky parim, por ka lënë pas një pasaardhës të denjë. Mark Zuckerberg është duke zbatuar të njëjtin parim dhe po ecën në të njëjtat gjurmë. Ai refuzon konkurrencën, e blen atë ose e shkatërron atë.
Dhe shembujt për këtë ka plot, duke filluar që nga Instagrami e deri tek WhatsApp-i. Zuckerberg ka shpenzuar miliarda dollarë për blerjen e këtyre dy platformave të komunikimit dhe përgjithësisht ja ka dalë mbanë që të shmangë konkurrencën e fortë, përveç një rasti; Snapchat.
Në 2013-n, kur Snapchat ishte ende “foshnje”, Zuckerberg e kishte kuptuar potencialin e platformës dhe i ofroi themeluesit të tij 3 miliardë dollarë. Kërkesa u refuzua dhe përmes Facebook një muaj më vonë njoftohet hedhja në treg e “Poke”, një aplikacion ‘klon’ i Snapchat. ‘Poke’ ishte një dështim dhe u mbylla shpejt.
Me kalimin e kohës, Snapchat ka patur një rritje jo në shifrat e Facebook apo Instagram, por ka qenë konstante, si në përdorues, ashtu edhe në të ardhura dhe sot përbën një kërcënim serioz për Zuckerberg, që po ndryshon Instagramin për ta shmangur këtë kërcënim.