Frika nga Coronavirusi, ministrat e BE-së bisedojmë përmes internetit

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e financave të vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për ndikimin e koronavirusit dhe masat për përkrahjen e ekonomisë. Megjithatë, ata nuk do të takohen fizikisht, siç kanë bërë deri më tani, por do të bisedojnë përmes lidhjes me video.

Mario Centeno, udhëheqës i grupit të ministrave të financave të vendeve të BE-së, tha përmes një postimi në Twitter se ndjenja e urgjencës dhe përpjekjet për koordinim janë të pashembullta.

Grupi i ministrave pritej të takoheshin të hënën në Bruksel, me agjendë fillestare vetëm për anëtarët e BE-së, përfshirë rishikimin e gjendjes në Greqi dhe diskutimet për ndikimin e koronavirusit, ku do të përfshiheshin ministrat e 27 vendeve anëtare.

Centeno, i cili është ministër i financave në Portugali, tha se diskutimi do të zhvillohet përmes video-lidhjes shkaku i masave të ashpra kundër përhapjes së virusit Covid-19, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Në qendër të diskutimeve pritet të jenë plani i Komisionit Evropian për rritjen e shpenzimeve në disa sektorë të ekonomisë, të cilët janë goditur nga koronavirusi dhe lejimi i shkallës më të lartë të deficitit për të dhuruar ndihma për bizneset e prekura.

Bashkimi Evropian po synon t’i ndajë 37 miliardë euro për kompanitë që kanë më së shumti nevojë dhe të marrë një qëndrim më të butë ndaj rregullave për ndihma shtetërore.

Të ngjashme