Frika nga gjykimi i të tjerëve, 5 gabimet që bëni

Prishtinë | 26 Dhj 2021 | 22:15 | Nga Ekonomia Online

Është një nga frikat më të përhapura që na kushtëzon negativisht në jetë ditë pas dite. Është frika nga gjykimi i të tjerëve: kemi frikë se mos na refuzojnë për shkak të gjërave që bëjmë, themi ose thjesht për atë që jemi. Kemi frikën se mos na përjashtojnë për këtë gjë dhe kështu vëmë në praktikë sjellje po aq të dëmshme, në mënyrë që të mposhtim këtë frikë.

Bëni që vlera juaj të varet nga komentet e tyre

Nëse dikush ju bën një koment pozitiv, ndiheni mirë dhe vetëbesimi juaj rritet jashtëzakonisht shumë. Por nëse dikush ju bën një koment negativ, ja ku fillon edhe sjellja vetëdëmtuese, mendoni e rimendoni, ndiheni keq për ditë të tëra. E gjitha kjo lind nga konfuzioni që akoma ekziston, fatkeqësisht nga koncepti për vetëbesimin. Vetë besimi, siç e thotë edhe vetë fjala është vlerësimi që kemi për veten dhe që mund të gjenerohet nga vetë ne. Por kur në mes futet egoja, ja ku fillon e luhatet sipas asaj që të tjerët thonë për ne. Po si t’ia bëjmë për të shtuar vetëbesimin? Kur e kuptoni se po bini në këtë kurth të gjykimit të të tjerëve, vendoseni veten në qendër. Cilat janë ato aspekte për të cilat e doni veten dhe ndjeni dashuri të pakushtëzuar?

E ktheni personale çdo situatë

Një e-mail ose një telefonatë pa përgjigje shndërrohet në një veprim kundër jush: mendoni se janë të inatosur me ju ose që keni bërë diçka të gabuar. Personalizimi i çdo situatë është një rrugë e sigurt drejt trishtimit. Secili prej nesh është i pajisur me një zonë fuqie: nuk mund të kontrollojmë veprimet dhe mendimet e të tjerëve, por mund të kontrollojmë reagimet tona. Kur e përdorim këtë zonë fuqie jemi në qendër të universit tonë, sepse vendosim vetë se si të reagojmë ndaj ngjarjeve dhe i lëmë të tjerët të lirë që të bëjnë të njëjtën gjë. Me pak fjalë nuk pretendojmë më se jemi qendra e universit të të gjithë personave që na rrethojnë. Në të kundërt rrezikojmë që çdo gjë që ndodh ta marrim shumë personale: koha, politika, kriza ekonomike, ndjesia se jemi gjithmonë të kërcënuar, të gjykuar, të nëpërkëmbur, të sulmuar. Edhe përballë një refuzimi apo një kritike, sjellja më e mirë është që të mos harrojmë se secili prej nesh ka mënyrën e vet të të menduarit. Nëse dikush kritikon apo gjykon jo domosdoshmërisht na gjykon ne, por mënyrën se si veprojmë. Kritika është kundrejt idesë që një person ka për ne. Ndaj nuk ka të bëjë shumë me ne, sesa ka të bëjë me personin që po na refuzon, sulmon, kritikon në atë moment. Ka shumë ndryshim mes mendimit që të tjerët kanë për ne dhe asaj çka jemi në të vërtetë!

Kushtëzoni veten

Ju ka ndodhur ndonjëherë se doni të thoni diçka, jeni gati duke folur e më pas frenoheni nga frika se mos thoni ndonjë gjë të gabuar apo nga frika se të tjerët mund të thonë diçka për ju? Mundoheni të jeni të përsosur, të mos bëni gabime, të mos jeni të brishtë dhe për pasojë bllokoheni, e mbysni zërin tuaj duke vuajtur në heshtje. Nëse nuk do të gabonim dhe do të ishim të gjithë të përsosur, bota do të ishte shuar prej kohësh. Të gabosh është e nevojshme për të mësuar, për të kuptuar se çfarë nuk shkon dhe për ta bërë më mirë atë.

Doni t’iu pëlqeni të gjithëve

Ky është një tjetër kurth i mendjes, shumë i përhapur, që na dëmton ne dhe marrëdhëniet që kemi me të tjerët. Mundoheni të përshtateni me njerëzit që ju rrethojnë, të përshtateni me dëshirat dhe nevojat e tyre, duke lënë ato tuajat gjithmonë në vend të dytë ose duke i injoruar fare. Të thoni gjithmonë po është një mënyrë për të evituar konfliktet dhe ndjesia e garës gjenerohet kur dy mendime kundërshtare dalin në pah. Duke u munduar t’i pëlqeni të gjithëve, humbisni çdo gjurmë të identitetit dhe origjinalitetit tuaj. Humbisni vetveten. Dhe ja ku me kohën lindin frustrimet, inati, trishtimi. Jemi shtatë miliardë persona në këtë tokë, si mund të pretendojmë se do t’i pëlqejmë të gjithëve?! Pastaj… a është vërtet e domosdoshme kjo gjë? Është me të vërtetë e tmerrshme apo katastrofike nëse nuk u pëlqejmë të gjithëve? Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë? Të jeni të bindur se cilado të jetë përgjigjja, do të mbijetojmë njësoj.

Nuk ia dilni të kërkoni ndihmë nga të tjerët

T’u kërkojmë ndihmë të tjerëve nuk është kaq e thjeshtë. Shumë shpesh krenaria na bën që të ngremë një mur, i cili na largon nga njerëzit. Ndoshta presim që të tjerët ta kuptojnë me intuitë se cilat janë nevojat tona, të cilat nuk i komunikojmë. Dhe inatosemi kur kjo gjë nuk ndodh! Në origjinën e kësaj paaftësie për të kërkuar diçka nga të tjerët, fshihet frika e refuzimit. Nëse nuk lirohemi nga frika e gjykimit të të tjerëve, si mund të kërkojmë se për çfarë kemi nevojë? Dhe nëse nuk e bëjmë, si do t’ia dalim të gjejmë dhe të shprehim veçantinë tonë? Do të bëjmë gjithmonë ato gjëra që u pëlqejnë të tjerëve, deri sa të mos dimë më se çfarë na pëlqen neve.

Të ngjashme