Fshehën emrat e kandidatëve për drejtorë e zëvendësdrejtorë të shkollave në Prizren

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 14:31 | Nga
Është mbyllur konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave në Prizren.

Numri i aplikuesve nuk dihet.

Komuna e Prizrenit ka preferuar t’i mbajë të fshehur emrat e kandidatëve.

“PrizrenPress” ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit dhe zëdhënësja e Komunës, Besama Hoxha, numrin dhe emrat e konkurruesve për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, mirëpo nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se emrat e tyre janë duke u mbajtur të fshehur për shkak kalkulimeve politike të koalicionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave.

“Është duke u bërë një luftë e madhe mes partnerëve të koalicionit. Secila parti po tenton të emëroji në këto pozita, sa më shumë njerëzit e vetë”, tregon një burim i afërt me procesin e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, do të bëhet në mënyrë transparente.

“Është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për Komunën tonë”, ka shkruar Haskuka.

Ai, ka ftuar të gjithë kandidatët që kanë aplikuar, të lexojnë udhëzimin për procedurën e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, i cili do të shërbej për krijimin e mundësive për përzgjedhjen e personave më të aftë për këtë punë, “ndërsa Komunës do t’i sigurojë transparencë në këtë proces”.

Thirrjes së Haskukës, ndërkaq nuk po i besojnë disa nga kandidatët që kanë konkurruar për drejtor të shkollave.

Ata, me kusht anonimiteti, i kanë thënë “PrizrenPress”-it, se kandidatët që kanë mbështetje politike tashmë kanë filluar të promovohen si drejtor në shkollat ku punojnë.

“Nuk e di si po thotë kryetari që procesi do të jetë transparent, kur për secilën shkollë po dihet se kush do të zgjedhet drejtor. Vetë kandidatët që kanë mbështetje politike, hapur po e promovojnë zgjedhjen e tyre si drejtor në shkollat ku kanë konkurruar “.

Drejtoria e Arsimit në Prizren, muaj e kaluar ka shpallur konkurs për 19 drejtorë dhe 2 zëvendësdrejtorë të shkollave. Konkursi është mbyllur me 8.5.2018 të këtij viti. Intervistat ende nuk janë mbajtur.

Të ngjashme