Fshinë pamjet e kamerave të sigurisë, masat që morën diplomatët iranianë para se të largoheshin nga Tirana

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Një ditë pas largimit të stafit të ambasadës iraniane në Tiranë, godina ruhet ende nga forcat e Policisë së Shtetit.

Një pjesë e dokumenteve që ndodheshin në ambasadë u dogjën të mërkurën nga stafi iranian, por godina do kontrollohet për të gjetur prova apo dokumente me interes.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se stafi ka asgjësuar dhe pamjet e DVR të kamerave të sigurisë së godinës.

Një ditë më parë forcat RENEA, njësia Anti-terror dhe njësia Anti-eksploziv u futën në ambientet e brendshme të ambasadës iraniane, pas largimit të trupës diplomatike drejt aeroportit të Rinasit.

Kryeministri Edi Rama kërkoi 2 ditë më parë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.

Gjatë një fjalimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.

Të ngjashme