Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar njësitë e saj për ndërhyrje në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës, pas shpërthimit dhe përhapjes së një zjarri me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave të kësaj zone.
Sipas njoftimit të FSK-së, pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative e FSK-së ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve për reagim.
“Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Operacioni, sipas FSK-së, ka nisur menjëherë me qëllim të izolimit të vatrës së zjarrit, parandalimit të ndotjes toksike të mjedisit dhe shmangies së pasojave për shëndetin publik.
“Njësitë tona po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, ka bërë të ditur FSK-ja.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës, në përputhje me detyrat dhe misionin e saj.