FSK-ja përuroi Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim

Prishtinë | 28 Sht 2016 | 17:40 | Nga

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me një ceremoni madhështore të organizuar sot në kazermën ,,Evropianët e rinj’’ të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, në Bardh të Vogël (Pomozatin), në të cilën mori pjesë edhe i pari i vendit, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, si dhe në prani të shumë të ftuarve, përuroi Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, e para e këtij lloji në FSK, por edhe në Kosovë.

Me këtë rast, presidenti i vendit, njëherë Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, Hashim Thaqi tha se, Kosova duhet të krenohet me zhvillimin e Forcës së saj, dhe se FSK-ja do të jetë Ushtri e Kosovës në të ardhmen duke theksuar se: “FSK-ja është tregues më i mirë i karakterit të shtetit dhe shoqërisë sonë’’.

Më tej, Presidenti Thaçi tha: “Forca e Sigurisë së Kosovës po forcohet gradualisht në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, të gatishmërisë për mbështetje të institucioneve, të komuniteteve, të OJQ-ve dhe të bashkëpunimit më partnerët tanë’’.

Ndërsa, ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, fillimisht falënderoi të gjithë partnerët si Suedinë, SHBA-të dhe Turqinë që kanë ndihmuar rreth ngritjes së Qendrës së Trajnimit e gjithashtu ka falënderuar edhe partnerët nga Ekipi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, që kontribuuan gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Karakteristikë dalluese e kësaj Qendre, theksoi ministri i FSK-së, Demolli, është fakti se përveç pjesëtarëve të FSK-së dhe shtetasve të Kosovës, në përgjithësi, do të trajnohen edhe shtetasit e huaj, të vendeve fqinje nga regjioni, ato të NATO-s si dhe student nga të gjitha vendet që duan të përfitojnë profesionalisht nga kapacitetet e Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së, ,,andaj shfrytëzojë rastin, që t’iu dëshirojë mirëseardhje të posaçme të gjithë atyre, që do të vijnë nga jashtë Kosovës për të vijuar trajnimet në këtë Qendër trajnimi.

Ministri Demolli, në fund premtoi angazhim dhe përkrahje për kapacitetet e Kërkim–Shpëtimit të FSK-së, duke theksuar se: ,,Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës është angazhuar, do të angazhohet, si edhe financiarisht do të përkrahë ngritjen e aftësive të kërkim–shpëtimit’’.

Nga ana e tij, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama foli për sukseset në drejtim të avancimit të kapaciteteve duke paraqitur me këtë rast edhe rolin, rëndësinë dhe objektivat e FSK-së për Qendrën e trajnimit për Kërkim-Shpëtim.

Në vazhdim të fjalës së tij, gjeneral Rama, tha se: ,,Qendra e Trajnimit të Kërkim-Shpëtimit ka për objektiv të jetë qendër e ekselencës për ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, dhe njëkohësisht trajnimin e pjesëtarëve të agjencive tjera emergjente të vendit tonë dhe të vendeve të rajonit në fushën e kërkim shpëtimit”.

Më tej, Ai, tha se: ,,Falë angazhimit të madh dhe profesionalizimit të gjithë pjesëtarëve, FSK po dëshmon çdo ditë, që jemi forcë profesionale, e përgatitur, dhe e motivuar në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim, dhe e gatshme të kontribuoj në sigurinë regjionale dhe globale’’.

Në fund të fjalës së tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoj dhe përgëzoj të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në ngritjen e kësaj Qendre, dhe uroj për një punë të mbarë në të ardhmen, duke veçuar posaçërisht ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e qendrës, komandantin e Regjimentit të Mbrojtjes Civile, dhe gjithë personelin e FSK-së që ndihmuan dhe kontribuuan në ngritjen e kësaj qendre si dhe partneret, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Suedinë dhe Turqinë, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në logjistikë, mjete financiare, pajisje dhe këshilla profesionale, dhe kanë mundësuar ngritjen profesionale të njësisë së Kërkim-Shpëtimit dhe në ngritjen e kësaj Qendre.

Ndërsa, nikoqiri i ceremonisë së sotme, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, kolonel Shaip Haziri tha se qëllimi i ngritjes së Qendrës është që të ofrojmë trajnime për kërkim-shpëtim prej më të mirave në Evropë, dhe ky është, dhe do të jetë qëllimi i ekipit të trajnimit në Qendër.

Kolonel Haziri tha gjithashtu se, ashtu si edhe deri më tani edhe në të ardhmen, me këto kapacitete të reja profesionale trajnuese, Qendra do të jenë në dispozicion për të ushtruar dhe trajnuar bashkë me të gjitha institucionet e Kosovës të cilat e kanë për mision reagimin në fatkeqësi natyrore apo edhe fatkeqësi tjera të shkaktuara nga dora e njeriut, duke shprehur hapur synimin që Qendra e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim e FSK-së, do të trajnojë edhe agjenci përgjegjëse për emergjenca edhe nga rajoni dhe më gjerë.

Para demonstrimeve, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ministri i FSK-së Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe kolonel Shaip Haziri, komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile prenë shiritin dhe bënë përurimin e Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim.

Në fund të gjithë të pranishmit, panë nga afër demonstrimin e aftësive dhe shkathtësive të pjesëtarëve të Regjimentit të Mbrojtjes Civile në përgjigje profesionale ndaj disa skenarëve me situata të cilat kërkuan reagim emergjent për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave të shkaktuara nga tërmeti në situatën e simuluar.

Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Brigadës për Mbështetje Operacionale të FSK-së, komandon dhe drejton njësitë e Kërkim-Shpëtimit, Deminimit dhe Eliminimit të Mjeteve të Pashpërthyera Eksplozive, Mbrojtjen Kimike-Biologjike dhe Atomike si dhe Njësinë e Zjarrëfikjes.

Qendra e trajnimit për Kërkim-Shpëtim e RMC-së ka për mision trajnimin dhe profesionalizimin e pjesëtarëve për përballje me emergjenca të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si dhe emergjenca tjera. Synon edhe trajnimin e agjencive tjera vendore që merren me këtë fushë dhe mëton të jetë Qendër Rajonale e Ekselencës për kërkim-Shpëtim.

Në këtë ceremoni morën pjesë; zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi, zëvendës ministri i FSK-së, Muhamet Latifi, sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, gjeneralët, Zymer Halimi, Gëzim Hazrolli, Bashkim Jashari, Nazmi Brahimaj dhe Enver Cikaqi, komandanti i Trupave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë(KFOR), ambasadorë, atashe ushtarak, krerë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të agjencive dhe organizatave joqeveritare si dhe mysafirë të shumtë.

unnamed (4) FSK unnamed (2)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme