Thirrjet e spektrit politik për dërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri, po konsiderohen të papërgjegjshme dhe anti-kushtetuese, nga njohësit e çështjeve të sigurisë, raporton Ekonomia Online.
Krahas kësaj, njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se e dëmton edhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, thotë se këto thirrje janë jo profesionale dhe aspak serioze.
Ai vlerëson se prezenca ndërkombëtare ushtarake është e rregulluar me Kushtetutë.
“Thirrjet publike për dërgimin e KFOR-it në shtëpi dhe vendosjen e FSK-së në veri të Kosovës, më së paku mund t’i quaj thirrje joprofesionale, joserioze dhe të papërgjegjshme sepse shtetet serioze vendosin në bazë të strategjive kombëtare, vendosin në bazë të konsolidimit të institucioneve dhe rrugëve përpara dhe në kohë krizash shtetet ndërtojnë aleanca edhe kur nuk kanë se lerë më kur kanë aleanca ato i mirëmbajnë e i avancojnë më tutje”.
“Ajo që është tepër e rëndësishme është që secili zyrtar duhet ta lexojnë nenin 53 të Kushtetutës i cili e përcakton fuqinë dhe rolin që e ka prezenca ndërkombëtare ushtarake dhe ndërtimi i aleancave është jo vetëm detyrë po edhe obligim kushtetues dhe kombëtar i lidershipit të institucioneve të Kosovës”, thotë Ramadani.
Ramadani vlerëson se deklarimet e tilla nuk e ndihmojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe se thirrjet për t’a larguar KFOR-in nga veriu janë anti-Kushtetuese.
“Thirrja ime për gjithë ata që deklarohen pa qenë të informuar apo të edukuar në çështjet e sigurisë kombëtare është që reagimet emocionale, histerike apo të llojeve tjera vetëm e dëmtojnë sigurinë kombëtare. Siguria kombëtare ndërtohet duke u bazuar në veprim strategjik dhe taktikat brenda asaj strategjie t’i ndihmojnë qëllimit nacional që është siguria e përgjithshme, mbrojtja e territorit, sovranitetit e shtrirja e rendit kushtetues”.
“Pra deri më tani çka jemi duke parë, kemi parë deklarime krejtësisht emocionale të cilat i ndihmojnë narrativit kundër bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar dhe e cila është shkelje kushtetuese sepse në nenin 153 të Kushtetutës, përcaktohet fuqia dhe roli që e ka KFOR-i”, u shpreh Ramadani.
E njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka përmendur marrëveshjen e atëhershme të nënshkruar ndërmjet ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s, Anders Rasmussen.
“Sa i përket çështjes së dërgimit të FSK-së në pjesën veriore kjo është e rregulluar tashmë me një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së atëhershme dhe sekretari të NATO-s. Pra FSK-ja ka ndryshuar mandatin dhe misionin sipas ligjeve të 20019-ës por assesi FSK-ja nuk mund të ndërhyjë në pjesën veriore pa u konsultuar paraprakisht për misionin me komandantin e KFOR-it sepse kjo do ta krijonte një precedent në ngritjen e tensioneve pavarësisht se Qeveria ka në mendjen e saj përdorimin e komponentës ushtarake por mos të harrojmë një element esencial. FSK-ja tanimë ka marrë ‘penalin’ e parë nga largimi i Defender 23′ si rezultat i gabimeve në skenën politike”, thotë Shala.
Teksa ka folur për pamundësinë që FSK-ja të shkojë në veri, Shala thotë se e dëmton edhe procesin e transformimit të FSK-së.
“Unë mendoj që deputetët e mazhorancës nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kuptojnë fare fuqinë dhe kapacitetet e FSK-së, pra në këtë aspekt FSK-ja nuk është ende e përgatitur për të dalë në pjesën veriore sepse ka kontura dhe pengesa normative, pra normativa e rezolutës 1244 dhe deputetët e pozitës po flasin pa pasur njohuri fare se deri ku ka arritur Forca e Sigurisë së Kosovës me transformimin e saj dhe cilat janë kapacitetet që mund t’i ofrojë në rast se do të kemi nevojë për të ndërhyrë në pjesën veriore. Pra deklarimet naive të mazhorancës nuk duhet t’i jepet mundësia të dalin në opinionin publik sepse janë mendime të cilat nuk i ndihmojnë stabilitetit në pjesën veriore por edhe avancimin e saj në një ushtri profesionale”.