FSK-së merr medaljen e artë në ushtrimin Cambrian Patrol në Britani

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 20:44 | Nga

Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e Forcë së Kosovës (FSK), e përbërë prej 8 pjesëtarësh, është dekoruar me Medaljen e artë në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol’’ në Wells të Mbretërisë së Bashkuar.

Ceremoninë e dekorimit me medaljen e artë nga afër e ka ndjekur edhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtënant Rrahman Rama, i cili duke parë nivelin e sfidave gjatë këtij ushtrimi është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e skuadrës.

Ushtrimi është mbajtur në tetë faza përgjatë muajit tetor në Wells të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa skuadra e FSK-së ka zhvilluar patrullën e saj 48-orëshe në fazën e 6-të nga data 19 deri më 21 tetor 2016.

Gjatë zhvillimit të patrullës skuadra e FSK-së edhe pse pjesëmarrëse për herë të parë ka treguar një profesionalizëm të jashtëzakonshëm duke arritur të njëjtin nivel me njësitë me elite të ushtrive më të zhvilluara në botë.

Në këtë ushtrim përveç 102 skuadrave nga njësi të ndryshme të ushtrisë britanike kanë marrë pjesë gjithsej 18 skuadra mysafire, përfshirë ushtritë nga vendet si Gjermania, Italia, Zvicra, Kanada, Pakistani, Nepali, Brazili, Kili, Bosnja dhe Hercegovina, Irlanda, India, Belgjika, Çekia, Australia, Zelanda e Re, Gjeorgjia, Meksika, dhe Lituania.

Deri në fazën e 6-të vetëm 10 skuadra përfshirë skuadrën e FSK-së kanë arritur të dekorohen me medaljen e artë, shumë të tjera kanë arritur vetëm ta përfundojnë ose kanë marrë medaljen e argjendtë dhe bronzi, ndërsa 16 të tjera për arsye shëndetësore apo në mungesë të përgatitjeve të mjaftueshme janë tërhequr nga ushtrimi.

Ky ushtrim daton qysh nga viti 1959 dhe njihet në mbarë botën si një ndër patrullat më të vështira, ku një numër i vogël skuadrash arrijnë të dekorohen me medaljen e artë dhe shkalla e dështimit është mjaftë e lartë. Me qenë se kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këtë lloj ushtrimi, dekorimi me medaljen e artë i ka lënë të befasuar si vendin nikoqir ashtu edhe vendet tjera pjesëmarrëse. Kjo performancë e suksesshme e skuadrës ka bërë që FSK të njihet nga vendet pjesëmarrëse si një organizatë serioze dhe shumë profesionale, ku pa dyshim që në të ardhmen si rezultat pritet të rrisë bashkëpunimin me ushtritë e vendeve të tjera.

Ftesën për të marrë pjesë në këtë ushtrim qysh në nëntor të vitit të kaluar e ka bërë Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, ku më pas skuadra e BRSH-së ka filluar procedurat për zhvillimin e trajnimit intensiv. Faza përgatitore për këtë ushtrim ka zgjatur rreth 9 muaj të plotë, përfshirë 3 muaj parapërgatitje, 5 muaj trajnim intensiv dhe një muaj trajnim familjarizues me regjimentin “Royal Irish” të Ushtrisë Britanike.

Ky sukses ka qenë një tjetër dëshmi që FSK-ja po shkon në hapa të sigurt drejt zhvillimit të një force profesionale duke nxjerrë kuadro të rinj që në evenimente të ndryshme janë konkurrencë serioze për ushtritë e vendeve të zhvilluara, thuhet në një komunikatë shtypi të FSK-së.

 

fsk-1 fsk-4 fsk-3 fsk-2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme