Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës

Prishtinë | 15 Gus 2026 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu ka dërguar ftesa liderëve partiakë për një takim të përbashkët “konsultativ” për të diskutuar për çështjen e Presidentit.

Takimi u thirr me datën 18 gusht, ditë e martë, nga ora 9.00, në Zyrën e Presidentes.

Në letrën dërguar kryetarit të PDK’së, Bedri Hamza, Haxhiu flet për “rëndësinë e arritjes” së një marrëveshje për Presidentin.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

Haxhiu i ka kërkuar Hamzës konfirmimin e pjesëmarrjes së tij ose të një përfaqësuesi të partisë.

Rolin “unifikues” Haxhiu e mori pas një deklarate të shefit të saj të partisë, Albin Kurti, i cili tregoi se ajo është “e pakënaqur” në Presidencë.

“E kemi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është shumë e angazhuar dhe e interesuar që kjo të marrë fund. Albulena nuk është një person e cila është duke u kënaqur në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Ajo është shumë e interesuar që këtë ta marrë një figurë unifikuese, për të cilën merremi vesh të gjithë ne bashkë”, kishte thënë Kurti dje.

Partitë ende nuk i kanë bërë publike përgjigjet e tyre ndaj kësaj ftese.

Të ngjashme