Ftesa e Mehmetajt nga Prokuroria nxit reagime të mëdha: Askush më shumë se VV-ja nuk nxit përçarje dhe mosdurim

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e gazetarëve, politikanë e analistë të politikës, i kanë dalur në mbrojtje gazetarit, Lirim Mehmetaj pasi ky i fundit u ftua nga Prokuroria për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Kjo gjë po shihet si një përndjekje e pushtetit ndaj zërave kritikë për punën e Qeverisë Kurti, teksa kanë akuzuar pushtetin se më së shumti bën përçarje dhe linçime e sulme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) janë shprehur të shqetësuar me thirrjen që i është bërë gazetarit, Lirim Mehmetaj nga Prokuroria.

Në reagimin e tyre është thënë se thirrja e Prokurorisë është alarm për një shoqëri demokratike.

“Në thirrjen për paraqitje më 7 mars, Mehmetaj është ftuar si i pandehur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga Neni 141 i KPR-së. Derisa AGK është në pritje të informacioneve zyrtare, thirrja e tillë ndaj një gazetari është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Ndërsa analisti i politikës, Imer Mushkolaj, i ka dalë në mbrojtjet gazetarit, Lirim Mehmetaj duke thënë se askush më shumë se zyrtarët e Vetëvendosjes nuk nxisin përçarje e mosdurim.

Ai ka thënë se pushteti ka kohë që po sulmon mediat dhe gazetarët kritikë që sipas tij, po i etiketon si armiq.

“Askush më shumë se njerëz të Vetëvendosjes nuk nxisin përçarje e mosdurim, nuk linçojnë e sulmojnë. Pushteti ka kohë që është vënë në sulm ndaj mediave e gazetarëve kritikë, duke i etiketuar si armiq. Tash, nëpërmjet organeve të drejtësisë, të cilat po ky pushtet vazhdimisht i ka cilësuar të kapura dhe jo të besueshme, ka zgjedhur të përndjek gazetarë.”

“E frikshme dhe e rrezikshme. Përndjekja e gazetarëve nuk kalon!” – ka shkruar ai.

Përveç Mushkolajt edhe analistë të tjerë kanë reaguar për ftesën e Mehmetaj nga Prokuroria të cilët e kanë parë si tentim për të shuar zërat kritikë ndaj pushtetit.

Nga ana tjetër edhe deputetët të partive opozitare kanë reaguar për këtë rast.

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se nëse një qasje e tillë është serioze, atëherë kjo duhet të fillojë nga “ndjekja penale nga kryeministri, te ministrat e duke përjashtuar pak (e hiç) deputetë të pushtetit”.

“Nuk më takon të përfshihem në kallëzime, e as hetime penale ku nuk jam palë. Njëlloj nuk më lejohet ta komentoj rastin e Lirim Mehmetaj specifikisht. Por, një gjë e di: Nëse prokuroria e ka seriozisht ndjekjen penale të atyre që bëjnë thirrje shfrenuese e nxitje të përçarjes e mosdurimit, duhen filluar ndjekjen penale nga kryeministri, te ministrat e duke përjashtuar pak (e hiç) deputetë të pushtetit.” – shkroi ajo në Facebook.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se askush më shumë se Vetëvendosje nuk ka bërë thirrje për dhunë, përçarje e linçim.

“Për linçime e propagandë kush nuk ia kalon këtij pushteti! Rastin e Lirim Mehmetaj, nga pozita ime nuk me takon ta komentoj. Mirëpo, ASKUSH sa LVV nuk bënë, as nuk ka bërë më shumë, thirrje për dhunë, përçarje e linçim. POR, fjalën e lirë nuk munden me ndal! Shpresoj, prokuroria të mos ndalet. Ka punë!”- ka shkruar ajo në Facebook.

Po ashtu edhe kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, Molliqaj, ka reaguar duke iu drejtuar deputetit Dimal Basha, tha ndër të tjera se ata po kërkojnë debate korrekte përderisa të njëjtit “linçimin e akuzën publike e ka specialitet, mbase patentë”.

“Kur pushteti denoncon, po kërkon disiplinim. Kur përdor institucione, veçse ka marrë formë shtypëse. Në një shoqëri të lirë, liria e secilit është liria jote. Ajo është e sulmuar kur sulmi vjen nga pushteti.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Nga ana tjetër, gazetari Mehmetaj beson se shkak i kësaj ftese dyshohet se është një debat i ashpër me deputetin e LVV-së Dimal Basha, nga ku vet Basha kishte paralajmëruar padi ndaj Mehmetajt.

“Me sa kuptova arsyeje e padisë nga prokuroria, siç kanë shkruar për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” është një padi e deputetit të Vetëvendosjes, fashistit Dimal Basha… Prej kur në Kosovë paditesh me ekspozu fashizmin? Unë që e alarmojë nxitjen e përçarjes përfundoj i paditur për çka kam alarmu.” – ka shkruar Mehmetaj në Facebook.

Nuk është hera e parë që pushteti i VV-së sulmon e tenton të denigrojë gazetarët dhe kritikë e tyre pa zgjedhur formë.

Të ngjashme