Funksionimi me udhëzime të kohës së UNMIK-ut, skandaloz

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 10:46 | Nga

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk duan të besojnë se edhe pas nëntë vjetësh pavarësi, institucionet qendrore të shtetit funksionojnë me udhëzime administrative që mbajnë logon e UNMIK-ut.

Por në realitet, ata përfitojnë meditje për udhëtime zyrtare pikërisht me një dokument të tillë.

Bëhet fjalë për Udhëzimin Adminstrativ 2004/07 për udhëtime zyrtare, i cili është lëshuar në kohën e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, në vitin 2004, dhe nuk është ndryshuar më asnjëherë.

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Xhevahire Izmaku e pranon se nuk është në dijeni se ky udhëzim i kohës së UNMIK-ut është ende i zbatueshëm.

Ajo përkujton se prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjitha institucionet kanë qenë të detyruara të largojnë logot e UNMIK-ut dhe të veprojnë me logot shtetërore.

“Nuk ka Udhëzime administrative me logon e UNMIK-ut. Prej shpalljes së pavarësisë e këndej të gjitha institucionet kanë pasur për obligim të bëjnë komplet ndryshimin e logove, në të gjitha zyret e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Izmaku për AktivPress.

Kjo deputete e ka cilësuar si skandaloze nëse një gjë e tillë ekziston ende në dokumentet e Republikës së Kosovës.
“Në përgjithësi institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë udhëzime me atë logo. Nëse ndodhë që ka, atëherë është skandal. Ky veprim mbetet vetëm tek ata të cilët nuk i pranojnë institucionet e Kosovës”, ka shtuar ndër të tjerash, Izmaku.

Ajo ka deklaruar se dokumente e tilla me logo të UNMIK-ut, do të mund t’i përdorte vetëm dikush në pjesën veriore të Kosovës, ndonjë siç ka thënë ajo që është jashtë kornizave e që nuk i pranon institucionet e vendit.

Megjithatë, sipas saj institucioni që ajo drejton nuk i ka kompetencat që të merret me financat e udhëzimeve administrative.

“Çështjet të cilat kanë lidhje me financat nuk i adresohen Komisionit për Administratë Publike, por i adresohen institucioneve të tjera vendimmarrëse në këtë drejtim”, ka përfunduar ajo.

Udhëzimi Administrativ 2004/07 është nënshkruar nga ish- ministri i Shërbimeve Publike, Jakup Krasniqi. /AktivPress

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme