Fushtica nuk e di që kjo është hera e dytë që rrëzohet kulmi i Komunës, hetimet do të tregojnë shkakun

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 15:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se në momentin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës, nuk ishin duke u zhvilluar punime në atë kat të ndërtesës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se rrëzimi mund të ketë ndodhur si pasojë e erërave, por kur është pyetur se pse nuk është dëmtuar asnjë ndërtesë tjetër përreth, ai ka thënë se nuk mund të paragjykojë dhe se hetimet do të tregojnë se si dhe çfarë ka ndodhur.

“Nuk ka pasur punime në atë kat të ndërtesës, në momentin kur ka ndodhur rrëzimi nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime. Sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri te rrëzimi. Hetimet janë në fazën preliminare, nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të paragjykoj, Policia dhe inspektorët e emergjencave janë duke e kryer punën e tyre”, është shprehur Fushtica në një deklarim për media.

Ai ka thënë se kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 2009 por ka thënë se nuk ka informata nëse kulmi i saj është rrëzuar edhe një herë më herët. Ai ka theksuar se nuk kanë informata për dëmet e tjera të shkaktuara nga rënia e çatisë.

Një pjesë e rrugës është bllokuar nga Policia për qarkullim të automjeteve.

Të ngjashme