Federata Palestineze e Futbollit njofton se do t’i rifillojë aktivitetet e futbollit në shtator, pas një pauze prej gati tre vitesh të shkaktuar nga lufta në Gaza.
Aktivitetet sportive u ndërprenë për shkak të luftës, e cila nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Federata palestineze e ka quajtur turneun e parë pas rifillimit të aktiviteteve “Kupa e Një Mijë Dëshmorëve”, për t’ë’i nderuar ata që, sipas të dhënave të saj, janë 1,014 sportistë palestinezë të vrarë nga Izraeli gjatë luftës.
Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se shumë prej personave të cilësuar nga palestinezët si atletë, në fakt ishin anëtarë të grupeve terroriste.
Në turne do të marrin pjesë më shumë se 200 skuadra, përfshirë 146 nga Bregu Perëndimor, 44 nga Gaza dhe 36 nga kampet palestineze të refugjatëve dhe pasardhësve të tyre në Liban.
Turneu do të nisë njëkohësisht në të tria vendndodhjet.
Në konferencën për mediat, presidenti i federatës palestineze të futbollit, Jibril Rajoub tha se “kushtet e vështira për të gjithë çuan në pezullimin e garave dhe aktiviteteve, por nuk e humbën besimin se sporti do të mbetet një simbol shprese dhe jete”.
Gjatë konferencës për shtyp, ai u bëri thirrje FIFA-s dhe federatave të tjera që ta mbështesin sportin palestinez dhe ta mbrojnë të drejtat e lojtarëve, shkruan abcnews, klubeve dhe fëmijëve për ta praktikuar sportin në “liri dhe dinjitet”.
Shoqata i ka kërkuar FIFA-s të vendosë sanksione ndaj klubeve izraelite që veprojnë në vendbanimet e Bregut Perëndimor dhe ta pezullojë anëtarësimin e Izraelit në FIFA për shkak të luftës në Gaza.