Humbja e 14 shkurtit ka qenë një prej momenteve më të këqija për LDK-në që nga themelimi. Rënia drastike prej 100 mijë votash duket sa ka habitur udhëheqësin e partisë. Isa Mustafa në një reagim pas humbjes, ka thënë se nuk e di cila është arsyeja që e ka ndëshkuar elektorati LDK-në në një mënyrë të tillë.
Për këtë përgjigje Mustafës i ka dhënë ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i cili në një shkrim të gjatë ia ka renditur Mustafës, siç thotë vetë Salihaj, gabimet e bëra gjatë udhëheqjes.
Ish-deputeti akuzon Mustafën se kishte ardhur në krye të LDK-së duke mashtruar, derisa ia përmend edhe heqjen e vijave të kuqe për PDK-në në kohën e koalicionit me VLAN.
Reagimi i plotë:
ÇKA NUK PO KUPTON ISA MUSTAFA
Isa Mustafa, në një prononcim në llogarinë e tij në fb shpreh “habinë” e tij të “madhe” se pse e ndëshkoi elektorati LDK-në, kur ajo ka qeverisur aqë mirë me të si kryeministër, apo kur ishte kryeministër i përkëdheluri i tij, Avdullah Hoti.
Gabimet e tij janë të mëdha e të shumta, por këtu po ia numëroj disa nga më kryesoret:
- Isa Mustafa erdhi në krye të LDK-së me mashtrim dhe puq, pa qenë fare as anëtar i LDK-së dhe pa punuar e as kontribuar fare në LDK. E rrëzoi Fatmir Sejdiun me moton se ai bëri koalicion me PDK-në dhe SHIK-un, kurse ky, pra Isa, ishte kundër këtij koalicioni dhe kundër SHIK-ut. Djemtë e Isës shkruan natën grafite dhe organizuan protesta para selisë së LDK-së kundër Fatmir Sejdiut. Më vonë të gjithë e panë se ky kishte qenë vetëm mashtrim dhe mënyrë puqiste për të ardhur në krye të LDK-së.
- Më vonë, kur u bë koalicioni VLAN, Isa Mustafa e mashtroi Këshillin e Përgjithshëm dhe e bindi atë që ta hiqte vijën e kuqe për PDK-në, me arsyetimin se i nevojitej kjo për ta forcuar pozitën e LDK-së brenda VLAN-it, duke premtuar se nuk do të bënte koalicion me PDK-në. Dihet se, posa doli nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, shkoi me vrap te Thaçi dhe e nënshkroi koalicionin me PDK-në. Premtimet e tij, me të cilat erdhi në krye të LDK-së se kurrë me PDK-në dhe SHIK-un, u shkelën brenda pesë minutash.
- Në marrëveshjen e koalicionit me PDK-në fshehurazi kishte dhënë pajtimin që Thaçi do të votohej nga LDK-ja për president dhe Veseli, kreu i SHIK-ut, për kryetar të parlamentit. Kur u arritën këto qëllime, Isa, i gëzuar, u përqafua me armiqtë më të mëdhenj të LDK-së dhe të Kosovës. Në këtë mënyrë ai shkeli mbi gjakun e veprimtarëve të vrarë të LDK-së nga strukturat kriminale të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke i fyer jashtë mase viktimat e krimit dhe familjet e tyre.
- Ministrat që emëroi nga LDK qenë të përzgjedhur nga Thaçi dhe Veseli, me arsyetimin se duhej të ishin bashkëpunues me PDK-në. Ministër i Punëve të Brendshme u emërua Skender Hyseni, njeriu i Thaçit, i cili, siç edhe pritej, nuk zbardhi asnjë vrasje të veprimtarëve të LDK-së. Përkundrazi, mbrojti krimin dhe kriminelët. Nuk e ndërroi asnjë zyrtar apo komandant të policisë të asnjë niveli, duke bashkëpunuar ngushtë me strukturat e krimit brenda policisë së Kosovës.
- Të gjithë ata deputet që nuk e votuan koalicionin me PDK-në dhe SHIK-un, që nuk e votuan Kadri Veselin për kryetar të kuvendi dhe Hashim Thaçin për president, Isa Mustafa i luftoi pamëshirshëm, u hakmor ndaj tyre duke i eliminuar nga lista e kandidatëve për deputetë dhe nga çfarëdo pozite në qeveri apo nga çfarëdo pozite e rëndësishme në organet e partisë.
- Nënshkroi Marrëveshjen famëkeqe të demarkacionit me Malin e Zi, duke ia dhënë Malit të Zi mbi 8200 hektarë të territorit të Kosovës, duke e dëmtuar rëndë Kosovën si shtet dhe duke provokuar pakënaqësi e revolta të mëdha.
- Nënshkroi marrëveshjen famëkeqe të Asociscionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke hapur mundësinë e krijimit të një republike serbe në Kosovë, e cila do të shënonte fundin e Kosovës si shtet. Me këtë veprim, sërish krijoi shumë tensione në Kosovë dhe ia keqësoi Kosovës pozitën në bisedimet me Serbinë.
- Që nga ardhja e tij në krye të LDK-së, Isa Mustafa i luftoi në të gjitha nivelet rugovistat dhe rugovizmin, i luftoi të gjithë ata që ishin dëshmuar, kishin autoritet dhe kishin kontribuar për LDK-në dhe Kosovën.
- Isa Mustafa, nga fillimi deri në fund, ishte vegël e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Në qeverinë e koalicionit me Vetëvendosjen, këmbënguli që LDK ta merrte Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ta emëronte ministër Agim Veliun, i cili ishte kundërshtar i madh i këtij koalicioni. Arsye ishte se këtë e kërkonin krerët e krimit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Qëllimi ishte mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve të PDK-së dhe SHIK-ut, si dhe mbrojtja e korrupsionit dhe e të korruptuarëve, përfshirë edhe ata brenda LDK-së.
- Isa Mustafa zbatoi me perfiditet nenin famëkeq të Statutit të LDK-së, me anë të të cilit ua pamundësoi të gjithë të tjerëve kandidimin për kryetar të LDK-së. Tash, kur karriera e tij po merr fund dhe ai nuk mund të kandidohet më për kryetar të LDK-së, ka kërkuar heqjen e këtij neni, sepse tash, ndonjë i përkëdhelur i tij, nuk do të mund ta kalojë këtë barrierë dhe të kandidohet për kryetar të LDK-së.
- Kryesinë e LDK-së e mbushi me njerëz pa kontribut dhe pa autoritet, duke eleminuar çdo figurë që ruante sadopak rugovizëm ,që kishte dhënë kontribut në LDK, apo ishte njeri me integritet. Të gjithë ata që kishin kontribuar e sakrifikuar shumë për LDK-në dhe që ishin rugovistë të dëshmuar, i largoi nga pozitat e rëndësishme. Shumica dërrmuese e anëtarëve të kryesisë së LDK-së janë servilë të Isa Mustafës, sillen gjithë ditën kafeneve të Prishtinës, duke u marrë me thashetheme e konspiracione se cili po vjen në cilën pozitë në pushtet dhe në parti. Kryesinë e LDK-së e mbushi me njerëz të Riinvestit, duke e shndërruar atë në një organizatë mafioze. Në kryesinë e LDK-së futi njerëz me të cilët kishte lloj-lloj raportesh, deri te raportet e niveleve më të ulëta. Një pjesë konsiderueshme prej tyre qenë dhe janë argatë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Të gjitha këto veprime të Isa Mustafës e sollën LDK-në nga 28 në 14 deputetë. Vetëm një hipokrit i llojit të Isa Mustafës, të cilit nuk i vjen marre për asgjë, “habitet” ende se pse e ndëshkoi elektorati ynë LDK-në. Arsyeja e vetme që elektorati ynë e ndëshkoi LDK-në është Isa Mustafa. Elektorati ynë, nga dëshpërimi dhe mllefi i madh, duke parë se organet e LDK-së janë bërë servile dhe dhe nuk mund ta hiqnin Isa Mustafën, nuk gjeti mënyrë tjetër dhe e ndëshkoi LDK-në, për ta larguar Isa Mustafën dhe servilët e tij nga kreu i partisë. Isa Mustafa pat deklaruar se nuk vendoste elektorati se me kend ai do të bënte koalicion. Elektorati ynë i tregoi edhe Isa Mustafës, edhe kryesisë së LDK-së, edhe të gjitha organeve të LDK-së, se ai do të vendoste se kush do të qeveriste me Kosovën, e jo Isa Mustafa me klanin e tij. Isa Mustafa ende po sillet në mënyrë shumë hipokrite, po deklaron se nuk ka dhënë dorëheqje, por do t’i ofrojë dorëheqje Kuvendit të LDK-së, me shpresën se kuvendi do ta rehabilitojë dhe nuk do ta konsiderojë fajtor për gjendjen e krijuar. Gabojnë të gjithë ata që mendojnë se Isa Mustafa nuk mund t’i bëjë më keq Kosovës apo LDK-së. Jam i bindur se ai po përgatitet për një puç të ri perfid, për ta vendosur në fron një njeri të tij, për ta vazhduar misionin e tij për shkatërrimin e mëtutjeshëm të LDKsë dhe të frymës rugoviste në Kosovë. Isa Mustafa do të mbetet sinonim i njeriut të keq, të pabesë, tinzak e perfid, i cili gjithmonë ishte në anën e të këqinjëve, do të mbetet njeriu, i cili, e dëmtoi rëndë Kosovën dhe të ardhmes e saj si shtet.