Njësitë e auditimit të brendshëm nuk kanë arritur të parandalojnë gabimet sistematike dhe të ndikojnë në përmirësimin e performancës të organizatave buxhetore – në analizën që u është bërë tri ministrive dhe dy ndërmarrjeve publike.
Në shumë prej tyre ka munguar ushtrimi i kontrolleve efektive të auditimit të brendshëm, për të siguruar se sistemet e menaxhimit janë në përputhje me parimet e menaxhimit financiar, shkruan sot Koha Ditore.
Aktiviteti i auditimit supozohet t’u ndihmojë organizatave buxhetore për të qenë llogaridhënëse ndaj publikut, si dhe për të rritur efikasitetin e veprimeve. Por me gjithë përmirësimet nga viti i kaluar, sfidë mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve dhe mbështetja e dobët për komitetet e auditimit.
Në Ministrinë e Infrastrukturës, nga Njësia e Auditorit të Brendshëm nuk ka pasur auditim në fushën e buxhetit dhe shpenzimeve, as për listat e pagave dhe menaxhimin e pasurisë-ndonëse ishin planifikuar me planin vjetor të auditimit.
Madje ky institucion ka aplikuar praktika jo të mira, duke emëruar anëtarë në komitetet e auditimit, nga pjesa ekzekutive.
Në Ministrinë e Shëndetësisë ka munguar auditimi i fushave me rrezikshmëri të lartë, siç janë shpenzimet për barna të Listës Esenciale, avancat e paarsyetuara për udhëtime zyrtare dhe menaxhimi i tërësishëm i pasurisë. Parregullsi janë evidentuar edhe në emërimin e Auditorëve të Brendshëm, ku transferimi i zyrtarëve ligjorë në pozitën e Auditorit të Brendshëm, është bërë në shpërputhje me Rregulloren për Transferin e nëpunësve civilë.
Rendiment të ulët ka dhënë komiteti i auditimit edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor. Ende nuk ka hartuar statutin, siç e kërkon Udhëzimi Administrativ, ndërsa për dy raporte të Auditorit të Brendshëm, njësitë e audituara nuk kishin përgatitur planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Gjetje tjetër është diferenca e madhe në paga ndërmjet auditorëve të brendshëm.