A janë nënat politikane më të mira? Andrea Leadsom dëmtoi veten me deklaratat e saj të marra. Tani vjen Theresa May që është nën presion të madh për vendimet që e presin, thotë Barbara Wesel.
Nënat kanë më shumë interes për të ardhmen se sa ata që nuk kanë fëmijë, deklaroi sekretarja e shtetit për Energjinë, sepse ato janë të shqetësuara për perspektivën e familjes së tyre. Dhe për këtë arsye ato mund të kujdesen më mirë për një vend. Pas këtij budallallëku për ditë me radhë vazhduan debatet në gazeta.
Populizmi i kandidatëve të paaftë
Kjo ishte e pabesë për shkak se ministrja e Brendshme Tereza May kishte thënë përpara kësaj në një intervistë televizive ku kishte treguar për veten dhe kandidaturën e saj se asaj dhe bashkëshortit u vinte keq që nuk kishin mundur të bëheshin prindër. Në këtë plagë Leadsom shpoi thellë duke e rrotulluar thikën disa herë me forcë.
Edhe vetëm kjo e diskualifikon atë për poste më të larta të shtetit. Dhe jo vetëm për të meta karakteri, por për shkak të budallallëkut të madh. Edhe më keq u bë puna kur ajo pretendoi se gazeta “Times” e kishte cituar gabim, gjë që ishte një gënjeshtër, sepse gazetarët i kishin regjistruar të gjitha fjalët e saj dhe e kishin cituar fjalë për fjalë.
Me rënien e Andrea Leadsom kampi i përkrahësve të Brexit-it mbetet nga pikëpamja e personelit pa kandidatë, sepse edhe Boris Johnson, Johnson dhe Gove nga konservatorët apo Nigel Farage kanë dalë nga gara.
Presion ndaj Theresa May-it
Ministrja e Brendshme Theresa May do të jetë tani pasuese e David Cameronit, pa procese të mëtejshme përzgjedhjeje, thjesht sepse nuk ka më kandidatë të tjerë.
Theresa May nuk është për t’u lakmuar për postin dhe trashëgiminë politike që merr mbi vete. Ajo ka përvojë të mjaftueshme në qeveri për t’ia dalë mbanë kësaj, por asaj do t’i duhet të zbatojë një Brexit që ajo vetë nuk e donte ndërkohë që kundërshtarët e tij po formohen. Në tryezën e saj të ardhshme të punës ajo nuk do të gjejë një plan B nga paraardhësi i saj.
Nga ana tjetër nga ajo kërkohet që të bëjë sa më shpejt kërkesën për të dalë nga BE-ja. Por deri tani ajo nuk ka as personelin dhe as përvojën për të drejtuar bisedimet e vështira të daljes nga BE-ja. Por të paktën Britania e Madhe dhe pjesa tjetër e Evropës do të kenë të bëjnë me një politikane me profil dhe jo me një fanatike. Edhe vetëm kjo mjafton për një lloj mirënjohjeje.