Komunat në Kosovë nuk ushtrojnë kompetenca të pavarura, por ato vazhdojnë të jenë të varura nga institucionet e nivelit qendror, është thënë të martën në Prizren, në tryezën e organizuar nga Instituti GAP, gjatë prezantimit të analizës: “Sa kanë kompetenca vetjake komunat?”.
Me këtë rast bartësit e hulumtimit kanë theksuar se kjo ndërvarësi i bën në shumicën e rasteve komunat të duken si mekanizma në shërbim të nivelit qendror, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërsa përfaqësuesit e komunave nga rajoni jugor i Kosovës kanë miratuar konstatimet në këtë drejtim, duke konfirmuar se ballafaqohen me probleme sa i përket zbatimit të kompetencave në sektorë të ndryshëm.
Bekim Salihu nga instituti GAP ka bërë të ditur se nga 19 kompetencat vetjake që i parasheh Ligji i vetëqeverisjes lokale, asnjëra nuk ushtrohet ekskluzivisht vetëm nga Komuna.
“Pjesa më e madhe e këtyre kompetencave mund të ushtrohen pas procedurave ose pajtimeve që duhet të marrin komunat nga niveli qendror. Madje një pjesë tjetër e këtyre kompetencave mund të ushtrohen direkt nga niveli qendror”, ka thënë Salihu. Ai ka sqaruar se sipas LVL-së komunat kanë kompetenca vetjake, kompetenca të deleguara dhe kompetenca të zgjeruara.
“Kompetencat vetjake nënkuptojnë se komunat kanë pushtet të mjaftueshëm që të menaxhojnë disa fusha për të cilat ligji u jep pushtet të plotë. Kompetencat e deleguara janë kryesisht shërbime të cilat komunat i kryejnë për nivelin qendror, si për shembull shpërndarja e asistencës sociale, kurse kompetenca të zgjeruara janë ato kompetenca të cilat i gëzojnë disa komuna me shumicë serbe”, ka deklaruar ai, duke shtuar se analiza është përqendruar kryesisht se sa kanë kompetenca komunat në zhvillimin ekonomik lokal, menaxhimin e pronës komunale, menaxhimin e mbeturinave, furnizimin me ujë, mbrojtjen e mjedisit lokal, përgjigjet ndaj rasteve emergjente lokale, etj.
Te zhvillimi ekonomik lokal sipas tij komunat më së shumti hasin në vështirësi sa i përket menaxhimit të pronës komunale, apo më saktë mungesa e pronës e cila mund t’u ofrohet investitorëve. “Shumë komuna nuk kanë fare prona komunale, kurse prona shoqërore menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ligji për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës parasheh edhe procedurat për bartjen e pronësisë nga AKP-ja te komunat. Por, komunat ankohen se ky proces merr kohë të gjatë dhe nuk mund t’u përgjigjen me kohë kërkesave të investitorëve potencial”, ka deklaruar Salihu. Problem tjetër sa i përket zhvillimit ekonomik lokal ai ka përmendur krijimin e ndërmarrjeve publike lokale.
Po ashtu ka pohuar se me LVL-në furnizimi me ujë është kompetencë e komunave, porse në praktikë, furnizimi me ujë bëhet nga kompanitë rajonale të ujësjellësve, aksionar i së cilave është Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Edhe menaxhimi i mbeturinave është kompetencë vetjake e komunave por sipas tij në praktikë, më shumë se kompetencë vetjake, menaxhimi i mbeturinave bie në kompetencë të kompanive rajonale, të cilat funksionojnë si shoqëri aksionare.
Salihu ka theksuar se mbrojtja e mjedisit është fushë e cila i lihet në kompetencë komunave dhe se megjithëkëtë kompetencat më të mëdha në këtë fushë i takojnë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ai ka pohuar se shëndetësia primare menaxhohet nga komunat, kurse përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e nivelit qendror, sikurse edhe furnizimi me barna që janë pjesë e listës esenciale.