Gashi dorëzoi kallëzim ndaj publikuesve të pamjeve nga burgu (Dokument)

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 14:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi dorëzoi në Prokurori kallëzim penal për përgjegjësit e pamjeve të publikuara mbrëmë në media nga kamerat e sigurisë në burgun e Prizrenit e që kanë të bëjnë me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Kallëzimi penal ka të bëjë me publikimin e pamjeve nga burgu i Prizrenit ku ka vdekur aktivisti i VV, Astrit Dehari.

Gashi ka bërë të ditur se padi është ngritur kundër personave përgjegjës të Drejtorisë Regjionale të Policisë së Kosovës në Prizren, kundër personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme-Agjencioni i Kosovës për Forenzikë, si dhe kundër të gjithë personave përgjegjës që identifikohen gjatë hetimeve nga prokurori përgjegjës.

Gashi theksoi se ky kallëzim penal nuk ka të bëjë fare me mediat.

Avokati i familjes Dehari ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi që në këtë rast të mos autorizoj prokuror nga Prokuroria themelore në Prizren dhe as oficer e hetues nga Drejtoria regjionale e Policisë së Kosovës në Prizren.

“Ne nuk i akuzojmë mediat që i kanë publikuar por personat që i kanë dhënë këto pamje mediave”, tha ai.

Sipas tij, në media janë publikuar pamje konfidenciale të cilat nuk duhet t’i ketë askush pos hetuesve

Gashi ka thënë se ka biseduar me prokurorinë Sylë Hoxha, që sipas tij, ka deklaruar se janë befasuar si kanë mundur të dalin këto pamje.

Më poshtë keni kallëzimin e plotë, të cilin avokati Gashi e ka publikuar në Facebook:

PROKURORISË SË SHTETIT

PËR: Kryeprokurorin e shtetit z.Aleksandër LUMEZI

NGA: Tomë GASHI, përfaqësues juridik i familjës së Avni Dehari nga Prishtina

Në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjës Avni Dehari nga Prishtina paraqes këtë:

KALLËZIM PENAL

Kundër :

I Personave përgjegjës të Drejtorisë Regjionale të Policisë së
Kosovës në Prizren

II Personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme-
Agjencioni i Kosovës për Forenzikë

III Të gjithë personave përgjegjës që identifikohen gjatë hetimeve
nga Prokurori kompetent

Shënimet tjera të personave përgjegjës të sigurohen zyrtarisht.

Aktivisti i Lëvizjës ”Vetëvendosje” Astrit Dehari nga Prishtina sipas urdhëresës së Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) nga Policia e Kosovë (PK) është paraburgosur më 30.08.2016.

Së bashku me Astrit Deharin janë paraburgosur edhe pesë aktivist të tjerë të Lëvizjës Vetëvendosje z.Petrit Ademi, z.Atdhe Arifi, z.Egzon Haliti, z.Frashër Krasniqi dhe znj. Dea Batusha.

Sipas kërkesës së PSRK-së Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë z.Vehbi Kashtanjeva më aktvendimin e datës 01.09.2016 kundër Astrit Dehari, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti është caktuar masa e paraburgimin në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa kundër z.Petrit Ademi, Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Sipas kërkesës së PSRK-së, Gjyqtari i Procedurës Paraprake të gjithëve i ka vazhduar paraburgimin dhe masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë deri më 29.11.2016.

Më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren nga asfikësia (pengesa në frymëmarrje) ka vdekur Astrit Dehari i moshë 26 vjeçare.

Të njejtën ditë më 05.11.2016 nga Drejtori i Policisë Regjionale të Prizrenit z. Nexhmi Krasniqi është publikuar njoftimi se kinse Astrit Dehari ka vdekur për shkak të marrjës së barnave nga të cilat kinse ka rënë në komë dhe kinse ka vdekur gjatë rrugës për në Spitalin e Prizrenit.

Më 07.11.2016 në Istitutin e Mjekësisë ligjore është bërë obdukcioni dhe është konstatuar se
Astrit Dehari ka vdekur nga asfikësia (pengesa në frymëmarrje) të shkaktuar sipas ekspertëve nga mjetë i fortë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren shumë herë ka deklaruar se janë marrë të gjitha provat në vendin e ngjarjës e që në këtë rast ka qenë dhoma ku ka qëndruar Astrit Dehari, si dhe nga Qendra e Paraburgimit në Prizren ndër të tjera janë marrë edhe video incizimet të cilat sipas urdhërit të tij më 05.11.2016 i kanë marrë Hetuesit policor të Prizrenit.

Kryeprokurori ka deklaruar shumë herë publikisht se provat janë të sigurta dhe se të njejtat janë dërguar edhe në Agjencionin e Kosovës për Forenzikë në Prishtinë, dhe se e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit mund të zbulohet vetëm pas publikimit të rezultateve nga Instituti i mjekësisë ligjore dhe nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë.

Për shkak se Astrit Dehari ka vdekur në Institucionin shtetëror – në Qendrën e Paraburgimit në Prizren të gjithë kompetentët kanë kërkuar hetime të pavarura dhe të pa ndikuara duke përfshirë Kryeminsitrin e Kosovës z.Isa Mustafa, Kryetarin e parlamentiti z.Kadri Veseli, Minsitrën e Drejtësisë znj.Dhurata Hoxha, Kryeprokurorin e shtetit z.Aleksandër Lumezi, Kryeprokurorin e Prokuroisë Themelore në Prizren z.Sylë Hoxha si dhe shumë përfaqësues të tjerë të Institucioneve shtetërore, përfaqësues të Partive politike.

Hetim të pavarur dhe të pa ndikuar ndër të tjera kanë kërkuar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtëme të Britanisë së Madhe z.Boris Johnsen dhe shumë perosnalitete të tjera publike.

Më 10.11.2016 në media janë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë së Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe të njejtat janë publikuar edhe sot më 11.11.2016 dhe të njejtat pamje janë publikuar edhe në Youtube.

Sot më 11.11.2016 në orën 11.53h jam informuar nga Kryeprokurori i Prokurosrisë Themelore në Prizren z.Sylë Hoxha se Prokuroria ende nuk disponon me raport nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë sa i përketë analizimit të video incizimeve të marrura më 05.11.2016 nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.

Duke pasur parasysh që sipas urdhërit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren z.Sylë Hoxha video incizimet nga Qendra e Paraburgimit në Prizren janë marrë më 05.11.2016 nga Policët- Hetuesit e Policisë Regjionale në Prizren, ata kanë pasur në posedim video incizimet si prova materiale për tu analizuar.

Sipas njoftimit të Kryeprokurorit z.Sylë Hoxha këto video incizime pastaj janë dërguar nga Policia e Prizrenit në Minsitrinë e Punëve të Brendshme –Agjencioni i Kosovës për Forenzikë.

Duke e ditur se në Policinë e Kosovës ekziston zingjiri komandues dhe ekzistojnë formular për të ruajtur –identifikuar zingjirin e rujtjës së provave, atëherë fare lehtë mund të identifikohen:

I Personat përgjegjës të Drejtorisë Regjionale të Policisë së
Kosovës në Prizren;

II Personat përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme-
Agjencioni i Kosovës për Forenzikë;

III Të gjithë personat tjerë përgjegjës që identifikohen gjatë
hetimeve nga Prokurori kompetent, e të cilët kanë keqpërdorur
poziten apo autoritetin zyrtarë për zbulim të paautorizuar të
informacionit konfidencial në çështjen e hetimit të vdekjës së
aktivistit të “Vetëvendosjës” Astrit Dehari në Qendrën e
Paraburgimit në Prizren.

Përgjegjësit i kanë dhënë mediave informacione konfidenciale- pamjet nga Kamerat e sigurisë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, e për të cilat informata janë vënë në dijeni (i kanë poseduar) gjatë ushtrimit të profesionit të pjesëtarit të policisë së Kosovës apo të pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme apo të pjesëtarit të Agjencionit të Kosovës për Forenzikë.

Po ashtu të paraqiturit kanë mundur të manipulojnë me prova gjatë hetimeve për shkaqet e vdekjës së Astrit Deharit, dhe kanë zbuluar fshehtësi zyrtare, duke i paisur (dhënë) mediat me video incizime nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, e kështu duke e keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në kuadër të Policisë së Kosovës apo Ministrisë së Punëve të Brendshme-Agjencionit të Kosovës për Forenzikë, andaj ekziston dyshimi i bazuar se personat e përgjegjës kundër të cilëve paraqitet ky kallëzim penal kanë kryer veprat penale:

-Zbulim i paautorizuar i informacioneve konfidenciale nga Neni 203 i Kodit Penal të Kosovës;

-Manipulim me prova nga Neni 397 i Kodit Penal të Kosovës;

-Zbulim i fshehtësisë zyrtare nga Neni 433 i Kodit Penal të Kosovës dhe

-Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga Neni 422 i Kodit Penal të Kosovës

-si dhe vepra të tjera penale të cilat Prokuroria zyrtarisht do ti identifikoj gjatë procedurës penale kundër të parqiturve.

Ky kallëzim penal nuk paraqitet dhe nuk ka të bëjë fare me persona përgjegjës apo gazetarët e mediumeve të cilat i kanë publikuar pamjet nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.

Në cilësinë e përfaqësuesit jurdik të familjës Dehari dhe sipas autorizimit me shkrim të babait të Astrit Deharit z. Avni Dehari nga Prishtina, kërkojmë nga Kryeprokurori i shtetit z.Aleksandër Lumezi që në kuadër të kompetencave të tij ligjore të ndërmerr veprime dhe masa ligjore që të identifikohen të gjithë personat përgjegjës të paraqitur në këtë kallëzim penal si dhe persona të tjerë përgjegjës të cilët Prokurori i shtetit do ti identifikojë dhe ndaj të njejtëve të inicohet procedura penale.

Poashtu kërkojmë nga Kryeprokurori i shtetit z.Aleksandër Lumezi që në këtë rast të mos autorizoj Prokurorë nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe as oficerë të policës dhe hetuesë nga Drejtoria Regjionale e Policisë së Kosovës në Prizren.

Me respekt,

Tomë GASHI
Prishtinë, 11.11.2016

SHTESË: Autorizimi për përfaqësimin e familjës së Avni Dehari, datë 07.11.2016

Të ngjashme