Avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të ri-angazhojë Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lausanne-Zvicër, për hetim të ri në rastin e vrasjes së Astrit Deharit.
Gashi ka thënë se një hetim i ri i nevojshëm do të qartësojnë rrethanat e vrasjes së Astrit Deharit më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, transmeton Telegrafi.
“Instituti i njëjtë në kuadër të hetimit të ri, e duke pas parasysh se ata kanë afruar edhe laboratorët e tyre në dispozicion si dhe hetues të posaçëm të ngarkuar me këtë çështje, do të ndihmojnë institucionet e Kosovës- Prokurorinë Speciale të Kosovës që t’i identifikoj vrasësit e Astrit Deharit , ndërsa PSRK-së, i mbetet që të identifikoj edhe shtytësit në vrasje të Astrit Deharit, dhe ata që e kanë fshehur vrasjen e tij për më tepër se 3 vite”, thuhet në kërkesën që ka bërë Gashi.
Ndryshe, në konkluzionet e raporti përfundimtar të publikuar para disa javësh thuhej se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuar nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë”.
Më tej thuhet se, “rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit, sipas mendimit tonë, janë të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal. Ekzaminimet plotësuese janë të nevojshme për të përjashtuar intervenimin e personit të tretë në vdekjen e Deharit”, thuhej në raport.
Lidhur me raportin nga Zvicra, ka pasur reagime nga shoqëria civile, zyrtarë të lartë partiak etj.