Gashi i AAK-së premton 3 000 vende të reja pune në Pejë

Pejë | 26 Sht 2017 | 20:11 | Nga Kaltrina Zymberi

Me sloganin “Ndryshimi vazhdon”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot pasdite ka mbajtur tubim zgjedhor me elektoratin e saj në Pejë.

AAK-ja ka prezantuar programin qeverisës, kandidatin për kryetar të Pejës, Fatmir Gashin dhe kandidatët për këshilltarë të komunës.

“Ne në Pejë do të punësojmë 5mijë qytetarë të Pejës”, ka qenë premtimi i madh i Gashit.

Ai shtoi se vetëm në mirëmbajtje e qytetit do të krijohen 300 vende të punës.

Gashi tha se AAK-ja nuk sjell program duke parë ëndrra. “Programi ynë fokusohet në zhvillimin ekonomik, dhe do të krijojmë pesë mijë vende të punës. Ne do të ndërtojmë zonë industriale dhe do t’i punësojmë të gjithë qytetarët e Pejës”.

Po ashtu Gashi tha se do të krijohet një klimë e favorshme për biznese dhe perspektivë të të rinjve. Ndër të tjera ai tha se do të ketë edhe zhvillim rural, duke rregulluar ujë të pastër dhe të mjaftueshëm për bujqit e Pejës.

Ai ka premtuar kanale për ujitje për fermerët. Duke folur për subvencionet dhe grantet për fermerët, Gashi mes tjerash premtoi sera, “por jo në bazë të përkatësive politike”.

Kandidati për kryetar, Fatmir Gashi, tha se ata që kërkojnë Lidhje e kanë humbur Lidhjen, duke iu referuar sloganit të LDK.

Gashi tha se edhe sektori i arsimit është në nivel jo të mirë dhe jo të kënaqshëm , sepse ka politizim të arsimit. “Me AAK-në në pushtet, drejtorët e shkollave do të zgjidhen nga Këshilli i Prindërve”.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë, do të punohet në bazë të ligjit funksional dhe do të blihen pajisje për shëndetësi.

Haradinaj e rikujton Gashin se duhet t’i mbajë premtimet, “mos me shku fytyra”

E ku ka dalë në foltore, kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, kërkoi nga kandidati i tij për kryetar të komunës së Pejës, Fatmir Gashi, që ato që po i premton do të duhet të realizojë.

“Se na shkon fytyra”, u shpreh Haradinaj.

“Në Kosovë po ndodhë qeverisja në veprim, si punë duke mbrri tek qytetari. Për pak ditë që jemi në punë kam me mbërri në cak. Disa tema edhe pse të vështira po realizohen. BE dhe Amerika kanë filluar me ndjek këtë qeverisje pozitive”, ka thënë mes tjerash, kreu i Qeverisë.

Të ngjashme