Gjatë një vizite zyrtare, zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, në Paris pati takime të ndara me anëtarë të Parlamentit Francez dhe me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Francë, takime këto që ishin të fokusuara në afirmimin e mbështetjes së Qeverisë franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Me deputetin e Parlamentit të Francës, Joachim Son–Forget, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i grupit për miqësi mes Kosovës dhe Francës, Gashi theksoi nevojën e mbështetjes së Presidentit të Francës në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke numëruar një varg argumentesh që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve teknike që kërkohen nga BE-ja.
“Pa dyshim, Kosova e meriton liberalizimin dhe këtë qëndrim e kam mbrojtur tashmë një kohë të gjatë. Personalisht do të jem në kontakt me kabinetin e presidentit Macron, për të siguruar mbështetjen që Kosova sa më shpejt të ketë lëvizjen e lirë”, tha deputeti Son–Forget.
Në anën tjetër, Gashi u takua edhe me ambasadorin e Austrisë në Francë, Michael Linhart, shteti i të cilit mban edhe presidencën e Këshillit të BE-së apo siç njihet ndryshe Presidenca e BE-së, nga i cili po ashtu mori mbështetje të parezervë në përçimin e argumenteve të qëndrueshme tek autoritetet franceze dhe ato austriake se pse Kosova meriton liberalizimin e vizave.
“Gjithsesi kosovarët duhet të lëvizin lirshëm në Evropë. Këtë mesazh, duke ia bashkëngjitur të gjitha argumentet e tjera në favor të liberalizimit të vizave, do t’i përçoj si tek autoritetet austriake, ashtu edhe tek ato franceze”, premtoi Linhart.
Gjatë ditës, Gashi do të takohet edhe me afaristët, rrjetin e bizneseve shqiptare në Francë dhe me nënkryetarin e Parisit, Christophe Girard.