Gashi nënshkruan tri memorandume me Jasharin, do të restaurohet Akademia e parë Ushtarake e UÇK-së

Skenderaj | 31 Maj 2018 | 15:06 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kanë nënshkruar tri memorandume mirëkuptimi, dy në fushën e trashëgimisë kulturore dhe një në fushën e sportit, raporton Ekonomia Online.

Në fushën e trashëgimisë kulturore sipas memorandumit do të bëhet restaurimi i akademisë së parë luftarake të UÇK-së në Aqarevë dhe rikonstruktimin e kullës së Shanan Manxhollit në fshatin Mikushnicë.

Ndërsa në atë sportive, MKRS do të investojë fillimisht 200 mijë euro për ndërtimin e një stadiumi në fshatin Runik. Ministri Gashi tha se këto projekte janë të rëndësishme.

Gashi shtoi së është kënaqësi e veçantë që të financojnë sidomos restaurimin e Akademisë së parë ushtarake të UÇK-së në Aqarevë, për shkak të së kaluarës dhe kontributit të qytetarëve të Skenderajt në çlirimin e Kosovës.

Ai u zotua se do të vazhdojnë mbështetjen për Skenderajn dhe ti përfundojnë projektet që janë aktualisht duke u realizuar.

“Investimeve të përbashkëta që do t’i kemi sivjet, është fjala për stadiumin e Runikut. MKRS për këtë fazë ka ndarë 200 mijë euro. Janë edhe dy projekte në kuadër të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktimi i kullës së Shaban Manxhollit gjithashtu do të kemi restaurimin e akademisë së pare ushtarake të UCK-së që është kënaqësi e veçantë ta financojmë këtë projekt”.

“Ne do të jemi të përkushtuar që në vazhdimësi të përkrahim komunën e Skenderajt edhe për shkak të kaluarës dhe kontributit të madh që kanë dhënë qytetarët e Skenderajt për çlirimin e Kosovës. Biseduam edhe për projektet që MKRS është duke investuar aktualisht, biseduam edhe për palestrën sportive e cila ende s’ka përfunduar, jemi zotuar që këtë vit ta përfundojmë. Jemi në fazën finale të shtëpisë së kulturës. Ishte kërkesë e kryetarit për investime në muzeun e qytetit, do të shohim mundësitë për investime”.

Kryetari Jashari tha së këto projekte dëshmojnë përkushtimin e shtetit që të mos harrohet historia, as ajo e para 100 viteve, por as kjo e UÇK-së para 20 viteve.

“Këto tri projekte  janë të rëndësishme për komunën tonë. Diskutuam edhe për palestrën sportive, shtëpinë e Kulturës. Nënshkruam tri memorandume, që është fusha e sportit në Runik dhe dy objektet, njëra në Aqarevë akademia ushtarake e UÇK-së, dhe tjetra ne Mikushnicë”.

“Kjo vërteton përkushtimin e shtetit që historia të mos harrohet edhe ajo para 100 viteve por edhe kjo e jona para 20 viteve me UÇK-në”.

Të ngjashme